Bajrami-Nagavcit: Mos i lë fëmijët pa libra se këtë s’ta kanë borxh

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pasi Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se MASHT-i po shqyrton mundësinë që paratë të barten në llogaritë e prindërve për blerjen e librave.
“Nisma e Ministrisë së Arsimit që t’i ngarkojë prindërit me blerjen e librave shkollor vetëm një javë para se të nisë procesi mësimor është nismë e gabuar, e vonuar që do të ketë pasoja për gjithë sistemin e posaçërisht për nxënësit dhe prindërit e tyre.”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Sipas Bajramit, MASHT-i ka dështuar pasi po i ngarkon prindërit e fëmijëve t’i blejnë librat pasi sipas saj, ka marrë çmime të larta nga shtëpitë botuese.
“Çka nëse mjetet financiare që i shpërndan MASHT-i për këtë qëllim nuk do të mjaftojnë? Çka nëse s’ka libra mjaftueshëm në treg për nxënësit? Mungesat e librave në treg do të jenë të paevitueshme sepse shtëpitë botuese nuk do të printojnë libra pa u siguruar që do të ketë kërkesë, e kërkesa e prindërve do të dallojë nga ajo e MASHT-it. Kush garanton se këto shtëpi botuese kanë me ulë çmimin në rast se librat blihen nga prindërit? Kush e monitoron furnizimin me libra të fëmijëve? Çka nëse kalojnë disa javë ose edhe muaj dhe nxënësit nuk arrijnë të furnizohen me të gjitha librat”, ka pyetur Bajrami.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?