KPK i reagon Kurtit: Të ndalen sulmet dhe linçimet ndaj kryeprokurorëve dhe prokuroreve

Pas deklaratave të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit se elita e vjetër e prokurorëve dhe gjyqtarve po duan ta sjellin sistemin e vjetër, ka reaguar Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Përmes një komunikate për media, KPK bën thirrje te Kurti dhe anëtarët e kabinetit qeveritar që të përmbahen nga deklaratat e vazhdueshme, të cilat i konsiderojnë shantazhuese dhe nënçmuese ndaj sistemit prokurorial.
“KPK-ja i bënë thirrje Kryeministrit dhe ministrave të kabinetit të tij qeveritar që të përmbahen nga deklaratat e vazhdueshme shantazhuese dhe rrjedhimisht nënçmuese, ndaj sistemit prokurorial të Kosovës në përgjithësi dhe ndaj punës së prokurorëve në veçanti, duke tentuar të linçojnë publikisht çdo gjë që ka të bëjë me sistemin prokurorial dhe punën e prokurorëve të shtetit”, thuhet në reagim.
Tutje, KPK-ja thekson se deklaratat dhe akuzat e tilla dhe qasja e tillë, sipas tyre, duke sulmuar dhe linçuar kryeprokurorët dhe prokurorët me emra dhe mbiemra, është shkelje e patolerueshme dhe tentativë e dështuar për të ndërhyrë në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit.
“Gjithashtu, KPK-ja, deklaron se do të mbështesë fuqishëm dhe do të mbrojë me të gjitha mjetet juridike-ligjore, që ka në dispozicion, punën profesionale të të gjithë prokurorëve të Republikës së Kosovës dhe, më këtë rast, u bën thirrje publike të gjithë faktorëve, në veçanti, Qeverisë së Kosovës që të qëndrojë larg deklaratave të tilla, tentativave për ndërhyrje dhe presione të drejtpërdrejta dhe të kota, që bien në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet ndër tjera në komunikatë.
Sipas KPK-së, Prokurori i Shtetit nuk ndikohet nga qarqet politike dhe grupet e interesit, por si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e mandatit të vet./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?