Kaloni te përmbajtja kryesore

MINT: Mirëpresim hetimin, duhet të hetohen edhe motivet për keqinformim

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka deklaruar se mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore, edhe pse shkruan se janë “të bindur që furnizimet dhe rezerva shtetërore janë në përputhje ligjet, planin dhe asnjë dëm apo dëmtim nuk ka ndodhur me to”.

Në reagimin e ministrisë thuhet se “për këtë çështje prej një kohë të gjatë e veçanërisht në muajt e fundit ka përpjekje të mëdha që të keqinformohet publiku”.

“Motivet dhe arsyet për këto veprime të nxitura dhe koordinuara nga palë të ndryshme të interesit duhet të jenë po ashtu pjesë e hetimit në këtë rast”, thuhet në reagim.

Reagim i MINT vjen pasi me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia ka realizuar bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar biznesmenin Ridvan Muharremi, drejtorin e Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara si dhe drejtorin e Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë pret që organet e hetimit të kenë në vëmendje që krahas punës hetimore, të mos cënojnë në asnjë rrethanë sigurinë shtetërore, për sa kohë që bëhet fjalë për rezervën shtetërore të Republikës sonë, e klasifikuar sipas Ligjit për Rezervën Shtetërore dhe Ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar”, thuhet në reagimin e MINT./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button