Kearns për letrën e dërguar SHBA-së dhe BE-së: Të mos përsërisim gabimet e së kaluarës

Deputetja e parlamentit britanik, Alicia Kearns, ka thënë se 10 kryetarë të komisioneve për punë të jashtme dhe 56 deputetë i kanë bërë thirrje SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe që të ndryshojnë qasjen tonë ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Përmes një postimi në Twitter, Kearns tha se “ne kemi nevojë për diplomaci parandaluese, ku të sigurohemi që të ketë ekuilibër në marrëdhëniet tona dhe të mos përsërisim gabimet e së kaluarës”.
“Është e rrallë që kaq shumë Kryetarë të Komiteteve të Punëve të Jashtme të mblidhen për të ngritur shqetësimet dhe për të shprehur një angazhim të përbashkët për de-përshkallëzimin. Ne duam të shohim një rrugë euroatlantike si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën. Me pakicat e respektuara dhe të dëgjuara”, shkroi deputetja.
Dje u raportuar se politikanët kryesorë të huaj nga vende të ndryshme perëndimore i kanë bërë thirrje BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe që të kenë qasje më të ashpër ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiq.
“Përpjekjet e Serbisë për të prishur zgjedhjet demokratike në Kosovë duhet të denoncohen publikisht si ndërhyrje e huaj dhe duhet të ndërmerren veprime konkrete për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse nëse ajo vazhdon të minojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, thuhet në letrën e ekspertëve të politikës së jashtme drejtuar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme Josep Borrell dhe Ministrave të Jashtëm Anthony Blinken (SHBA) dhe James Cleverly (Britani). /21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?