Zgjedhjet në veri, Kryeziu: Çdo veprim ndaj kryetarëve është shkelje e ligjit dhe Kushtetutës

Ish-gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka thënë se procedura për zgjedhjet në katër komunat veriore është një procedurë “bukur e ndërlikuar”, për shkak se rast i tillë nuk ka ndodhur më herët në Kosovë.
Kryeziu tha se për të dhënë dorëheqje kryetarët, ata duhet të kenë një arsyetim “të thellë”.
“Me sa e kam parë nga aspekti profesional dhe politik, duhet një arsyetim i thellë se pse duhet të largohet kryetari i komunës. Me sa kam vërejtur unë veprimtarinë e kryetarëve të komunave, ata nuk kanë bërë asnjë shkelje, as në aspektin e kompetencave të tyre vetanake ose të deliguara ose shkelje të tjera ligjore apo kushtetuese, kështu që çdo veprim i cili bëhet ndaj këtyre kryetarëve, është shkelje e ligjit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha Kryeziu në 21drejtpërdrejt të RTV21.
Ish-gjyqtari tha se kryetarët e tanishëm kanë të drejtë që të jenë kryetarë edhe për dy vjet tjera.
Ai tha se 20 përqind e votuesve të regjistruar duhet të nënshkruajnë peticionin për t’u rimbajtur zgjedhjet.
“Duhet të bëhet një peticion apo një kërkesë, e cila duhet të dërgohet në asamblenë përkatëse dhe kryetari i asamblesë duhet të përcjellë në Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe kjo ministri duhet të bashkëpunoj me Qeverinë”, deklaroi Kryeziu. /21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?