Kaloni te përmbajtja kryesore

KQZ: Jemi të gatshëm për zgjedhje të reja në veri

Ende pa u bërë dy muaj nga zgjedhjet e 23 prillit për kryetarë komunash në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, zgjedhjet e reja në këto katër komuna kanë filluar të diskutohen në nivelet e larta shtetërore.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se KQZ-ja është e gatshme për të kryer detyrat e veta që dalin nga Kushtetuta e Kosovës, duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të reja në veri.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen. Si çdoherë, ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën, KQZ-ja është e gatshme për të përmbushur detyrat që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi”, tha Elezi në një intervistë për KP.

I pyetur për mundësinë që në këto zgjedhje eventuale, misioni i OSBE-së në Kosovë të marrë rol ndihmues për KQZ-së, Elezi ka thënë se ky institucion nuk i komenton zhvillimet politike.

“KQZ-ja ka dëshmuar se është institucion i cili përmbushë detyrat kushtetuese. Prej disa proceseve zgjedhore, që nga viti 2020, KQZ-ja, si institucion i vetëm, ka realizuar me sukses detyrat edhe në këto katër komuna. Andaj, si KQZ, ashtu siç kemi bërë edhe në të kaluarën, shprehim gatishmërinë për të kryer detyrat tona”, deklaroi Elezi.

Misioni i OSBE-së në Kosovë, në zgjedhjet e mëhershme ka lehtësuar dhe ndihmuar KQZ-në, në organizimin e zgjedhjeve në katër komunat e veriut të Kosovës.

Gjatë ditës së sotme, kreu i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, është takuar me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, për të diskutuar për situatën në veri dhe zgjedhjet atje. Davenport tha se OSBE do të ndihmojë Komisionin Qendror Zgjedhor.

“Me Miroslav Lajçak sot u theksua rëndësia e progresit në dialogun e lehtësuar nga BE dhe pjesëmarrjen e plotë të të gjitha komuniteteve në institucione dhe zgjedhje. OSBE në Kosovë qëndron fuqishëm përkrah KFOR-it dhe EULEX-it në përmbushjen e mandateve tona përkatëse në Kosovë. Mbështetje e fortë për thirrjen e BE-së për depërshkallëzimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse në komunat veriore. OSBE do të ndihmojë institucionet e Kosovës, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të ofruar integrim dhe dialog duke përfshirë të gjitha komunitetet”, ka shkruar ai në Twitter.

 

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button