Kampionati Evropian i xhudos në Kosovë, Çeku: Ngjarje botërore që do të sjellë promovim

Organizimin e Kampionatit Evropian të xhudos në Kosovë, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku e quajti ngjarje ndërkombëtare, që do të të sjellë promovim për vendin.
Ndër të tjera, Çeku shkroi se angazhimi dhe investimi i vazhdueshëm në sport po sjell rezultate.
“Kosova për herë të parë do ta organizojë kampionatin europian të xhudos “European Championships Open”. Në fund të këtij viti, qytetarët tanë e sportdashësit do të kenë mundësi të shohin ndeshjet mes xhudistëve më të mirë të Evropës. Një ngjarje ndërkombëtare sportive që do të sjell promovim dhe të mira të tjera për vendin tonë.”, shkroi ministri Çeku në Facebook.
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka informuar dje se Federata e Xhudos e Kosovës për herë të parë do të jetë organizatore e Kampionatit Evropian të xhudos. Ky Evropian i xhudos është formati i ri i ngjarjes kontinentale, që ndryshe njihet si “European Championships Open”. Evropiani i xhudos është i hapur dhe do të organizohet vetëm për kategoritë deri në 57 kilogramë dhe deri në 73 kilogramë, ku Kosova do ta ketë të drejtën të paraqitet me nga dy xhudistë në kategori, për dallim prej shteteve tjera që do ta kenë nga një.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?