Ministrja gjermane: Propozimi evropian do të përmirësonte rrënjësisht marrëdhëniet Kosovë- Serbi

Ministrja e Shtetit të Gjermanisë në Zyrën e Jashtme Federale, Anna, ka deklaruar se progresi drejt normalizimit të qëndrueshëm në mes të Kosovës dhe Serbisë është urgjent, më tepër se kurrë më parë.
“Propozimi evropian, i cili bazohet në një iniciativë gjermano-franceze, është një mundësi unike si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën. Pranimi i propozimit do të përmirësonte rrënjësisht dhe në mënyrë të qëndrueshme marrëdhëniet midis vendeve.”, tha Anna Luhrmann
“Mund të nxisë procesin e normalizimit në interes të qytetarëve të tyre. Ai do të largonte pengesat në rrugën drejt integrimit të mëtejshëm në BE dhe zhvillimit ekonomik. Dhe sigurisht që do të ishte një nxitje politike dhe ekonomike për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili po frenohet nga kjo çështje e pazgjidhur. Të gjithë anëtarët e BE-së shpresojnë që Serbia dhe Kosova ta shfrytëzojnë këtë shans historik dhe unik. Evropa po e përqafon rajonin si kurrë më parë: duart tona janë të hapura, por ne kemi nevojë që të dyja palët të veprojnë në mënyrë konstruktive.” shtoi ajo
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të kenë një takim të nivelit të lartë politik në Bruksel më 27 shkurt. Në fokus të takimit do të jetë propozimi franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Albin Kurti tha në fillim të këtij muaji se Kosova e pranon planin evropian, së bashku me gjashtë kushte për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë ende nuk ka deklaruar nëse e pranon propozimin apo jo zyrtarisht./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?