Nagavci: Llogaridhënia e mësimdhënësve garanton që paga kthehet në përfitim të nxënësve

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se llogaridhënia e mësimdhënësve do të jetë mekanizmi për të garantuar rritjen e pagave, që u bë me koeficientin e ri.
Ajo deklaroi se Ministria synon t’i nxisë mësimdhënësit për përformancë më të mirë, duke shtuar se Ligji për Paga është fitore për të gjithë, por për në arsim, vëmendja është tek cilësia.
“Paga bazë është vetëm fillimi. Ligji promovon shtesat për mësimdhënës në bazë të performancës/licencimit. Ky është synimi jonë, nxitje të vazhdueshme monetare dhe jo monetare për performancë më të mirë të mësimdhënësve tanë. Rritja në paga duhet të jetë shpërblyese për mësimdhënësit e mirë dhe nxitje për mësimdhënie cilësore. Llogaridhënia do të jetë mekanizmi ynë që do të na garantojë se kjo pagë kthehet në përfitim për nxënësit tanë”, shkroi Nagavci në Facebook.
Më tej Nagavci tha se rritja e pagës dëshmon përkushtimin e MASHTI-t ndaj mësimdhënësve dhe përmirësimin e cilësisë në arsim.
“Ligji për paga është fitore për të gjithë, por në arsim vëmendjen e kemi tek cilësia. Dhe, për këtë besoj shumë në vullnetin dhe përkushtimin e të gjithë mësimdhënësve për të ofruar mësimdhënie cilësore. Jemi së bashku në rrugëtimin tonë për një arsim më të mirë”, deklaroi ajo.
SBASHK-u përmes një komunikate kanë thënë se nuk e ka ndërmend të dërgojë ankesë te Avokati i Popullit për ta dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas kësaj sindikate ky rangim ka bërë që vlera e koeficientit prej 105 euro, e cila siç shprehen, nuk i plotëson pritjet e tyre, por mundëson që mbi 90% e anëtarësisë të kenë një rritje page mesatare rreth 100 euro./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?