Kaloni te përmbajtja kryesore

Franca kërkon ulje të tensioneve në veri

Franca është shprehur tejet e shqetësuar për situatën në veri të Kosovës dhe ka dënuar sulmet ndaj misionit të EULEX-it si dhe të gjitha aktet tjera të dhunës të shfaqura në terren, disa ditë pasi në veri u rikthyen barrikadat e vendosura nga serbët. Në një reagim në wefbaqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës të hënën, Franca “ka kërkuar nga palët të tregojnë përmbajtjen më të madhe dhe të demonstrojnë përgjegjësi në mënyrë që të ulen tensionet”.
“Franca përkrah plotësisht ndërmjetësimin evropian, që duhet ta bëjë të mundshëm përparimin drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme në mes të Serbisë dhe Kosovës dhe të ecet përpara në drejtim të perspektivës evropiane për të dyja shtetet. U kërkon të dyja palëve të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratë.
Ministria e Punëve ka thënë se do ta diskutojë çështjen e veriut me shtetet tjera evropiane në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të Bashkimin Evropian.
Disa serbë lokalë në veri të Kosovës, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Kjo ishte përgjigjja e tyre ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Atij më vonë i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji. Pantiq dyshohet se organizoi “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pret që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largojë barrikadat në veri.
Komuniteti ndërkombëtar bëri po ashtu thirrje për largimin e barrikadave. Ambasadat e SHBA-së në Prishtinë dhe Beograd thanë se arrestimi i Pantiqit “po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve”.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, konfirmoi ndërkohë se një patrullë e tij vëzhguese në Rudarë – pjesa veriore e Kosovës – u sulmua me shok-bombë mbrëmjen e 10 dhjetorit nga, siç u tha, persona të armatosur. Komuniteti ndërkombëtar e dënoi këtë sulm.
Sulme pati edhe mbi Policinë e Kosovës, ashtu si edhe disa shkëmbime me armë zjarri. Autoritetet e Kosovës fajësuan “bandat kriminale”, të udhëhequra nga Beogradi. /21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button