Kaloni te përmbajtja kryesore

Samiti i Procesit të Brdo-Brionit me thirrje që Kosovës t’i hiqen vizat

Presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, dhe liderët e Ballkanit Perëndimor gjatë takimit të Brdo-Brionit arritën 6 konkluzione.
Presidenti i Sllovenisë i bëri thirrje Bashkimit Evropian që ta përfundojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinës t’ia japë statusin e shtetit kandidat.
1. Ritheksuam rëndësinë e zgjerimit të BE-së si kontributi më i drejtpërdrejtë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, zgjerimi është më shumë se kurrë gjeopolitik.
2. Ne bëjmë thirrje për një proces më të shpejtë të integrimit në BE, në përputhje me kushtet e njohura për anëtarësim.
3. Ne bëjmë thirrje për dhënien e statusit të kandidatit për Bosnjë dhe Hercegovinën deri në fund të vitit 2022.
4. Ne bëjmë thirrje për liberalizimin e vizave për të gjithë Ballkanin Perëndimor deri në fund të vitit 2022.
5. I bëjmë thirrje BE-së të qëndrojë në krah të Ballkanit Perëndimor në zbutjen e pasojave të krizës ekonomike dhe energjetike.
6. Ne afirmojmë përkushtimin tonë për dialogun si e vetmja mënyrë për të kapërcyer dallimet dhe për të hapur çështjet në rajon.
Pahor dhe Milanoviq gjatë një konference për media kanë bërë thirrje për dialog si rruga e vetme e gjetjes së zgjidhjes dhe ruajtjes së paqes në rajon.
Teksa Pahor është shprehur i rezervuar për t’i bërë thirrje direkte Serbisë për njohjen e Kosovës, ai kroat Milanoviq tha se pavarësia është rrugë pa kthim dhe se ai vazhdimisht bën thirrje që vendet që nuk e kanë njohur Kosovën të bëjnë një gjë të tillë.
Në këtë takim ka marrë pjesë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë sllovene-kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Pahor, atëbotë kryeministër i Sllovenisë.
Qëllimi i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në BE./21Media 

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button