Kaloni te përmbajtja kryesore

Sveçla: Reciprociteti është vlerë, sepse është barazi

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas marrëveshjes së sotme për dokumentet identifikuese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është shprehur se ligjshmëria dhe Kushtetushmëria në vendin tonë janë premisat mbi të cilat do të zbatohen marrëveshjet nga procesi i dialogut.
Ai ka theksuar se reciprociteti është vlerë, sepse është barazi.
“Nga 1 shtatori, shtetasit e Republikës së Kosovës që do të udhëtojnë në Serbi apo përmes Serbisë nuk do të pajisen me dokumentin shtesë në pikat e kalimit kufitar.  Ne kemi shprehur vazhdimisht vullnetin tonë që të mos kemi fare këtë lloj dokumenti, as nga ne dhe as nga autoritetet serbe për sa kohë që kjo bazohet në një raport të drejtë mes dy shtetesh. Si Republikë e Kosovës jemi plotësisht të interesuar për promovim të plotë të lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovë, pa dallim.”, ka shkruar Sveçla, me ç’rast ka uruar të gjithë qytetarët për arritjen e marrëveshjes.
Ndryshe, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, sot ka bërë të ditur se është arritur marrëveshja për dokumentet identifikuese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Borrell ka potencuar se Serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button