Afro 1 mijë shkolla në Kosovë, vetëm 57 psikologë
Në Kosovë llogaritet të jenë rreth 1 mijë institucione arsimore publike.
Për protalin rtv21.tv Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka thënë se 872 janë shkolla fillore kurse 120 shkolla të mesme. Numri total i shkollave në Kosovë është 992.
Bazuar në të dhënat që ka sigurar rtv21.tv nga MASHTI nëpër shkollat në Kosovë janë vetëm 57 psikologë dhe 50 pedagogë.
“Aktualisht janë rreth 50 pedagogë dhe 57 psikologë të angazhuar nëpër shkollat në tërë Republikën e Kosovës. Numri i tyre pritet të rritet vazhdimisht varësisht nga kërkesat dhe nevojat e komunave. Po ashtu në proporcion me numrin e nxënësve angazhohen edhe psikologët nëpër shkolla”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-it.
Sipas MASHTI-it numri i psikologëve dhe pedagogëve pritet të rritet.
Praninë e psikologëve si dukuri pozitive e sheh edhe Trëndelina Krasniqi psikologe në SHFMU ”Ismail Qemali” Prishtinë.
Sipas Krasniqit, shqetësuese është izolimi social i nxënësve për arsye të ndryshme (probleme socioekonomike) e që si pasojë e kësaj nxënësit kanë krijuar sjellje vetë dëmtuese. Këto raste sipas psikologes hyjnë në pjesën e rasteve ekstreme.
Për portalin rtv21.tv Krasniqi ka treguar se në shkollën ku ajo punon janë 1 mijë e 900 nxënës dhe kërkesat për konsultime janë të barabarta si nga ana e djemve ashtu edhe vajzave./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?