Kaloni te përmbajtja kryesore

Ligjvënësit amerikanë i bënë thirrje Presidentit Biden që të angazhohet për zgjidhjen e tensioneve Kosovë-Serbi

Grupi i Çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan, të hënë i ka bërë thirrje Presidentit Joe Biden dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, që të dyfishojnë vëmendjen e Shteteve të Bashkuara në zgjidhjen e tensioneve Kosovë-Serbi.
Grupi i Çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan ka bërë thirrje që të angazhohen sërish Shtetet e Bashkuara për të siguruar që Kosova të marrë trajtim të duhur dhe njohje si vend i pavarur, si dhe të arrihet një zgjidhje paqësore dhe përfundimtare.
Kërkesa e bërë përmes një letre dërguar Bidenit dhe Blinkenit ka ardhur si rezultat i atij që ligjvënësit e quajnë përshkallëzimin e fundit mes Kosovës dhe Serbisë.
“Javën e fundit u shfaq një situatë shqetësuese si rezultat i një mobilizimi ushtarak në kufi, duke kërcënuar stabilitetin e pasigurt në rajonin e Ballkanit. Duke pasur parasysh forcën joproporcionale të forcave të armatosura të Serbisë, ne ju bëjmë thirrje që të ripërtërini angazhimin e Shteteve të Bashkuara për t’u siguruar që aleati ynë Kosova të marrë trajtim të drejtë dhe njohje si vend i pavarur”, është shkruar në letrën e ligjvënësve amerikanë.
Ata kanë shtuar se javën e kaluar tensionet janë përshkallëzuar, kur avionët luftarakë serbë kanë fluturuar pranë kufirit Kosovë-Serbi.
“Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008, Serbia ka refuzuar të njohë Kosovën si komb të pavarur. Kjo reflektohet në një marrëveshje, në të cilën Serbia lejoi vetëm automjetet që shfaqnin targa me “KS” (Kosovë) dhe refuzoi hyrjen në automjetet me targa me “RKS” (Republika e Kosovës).”, është shkruar tutje në letër.
Ata tutje kanë bërë thirrje për të gjetur zgjidhje përfundimtare.
“Ne ju bëjmë thirrje që të dënoni përshkallëzimin e fundit të tensioneve dhe mobilizimin ushtarak serb, si dhe inkurajojmë administratën tuaj që të bashkohet me partnerët tanë në BE dhe NATO, për të mbështetur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje paqësore dhe përfundimtare”, është shtuar tutje në letër.
Përveç bashkëkryetarëve të grupit të çështjeve shqiptare: Torres dhe Himes, letra është nënshkruar edhe nga anëtarët e këtij grupi: Elissa Slotkin, Joe Courtney, Mondair Jones, Carolyn B. Maloney dhe James P. McGovern.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës më 20 shtator e ka vendosur masën e reciprocitetit ndaj Serbisë. Ndërsa, dje Kosova dhe Serbia kanë filluar vendosjen e letrave ngjitëse në targat e automjeteve që kalojnë në territorin e njëra-tjetrës. Kjo është pika e dytë e marrëveshjes që ka ndalur tensionet disaditëshe në dy pika kufitare në veri të Kosovës, në Jarinjë dhe në Bërnjak.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button