Së shpejti fillon edicioni i katërt i “Ekrani i Artit”
Edicioni i katërt i programit me përzgjedhje filmike “Ekrani i Artit” i organizuar nga Art House, bën bashkë filmin dokumentar mbi artin me atë eksperimental dhe videoartin.
I nisur si një bashkëpunim me festivalin fiorentin “Lo schermo dell’arte”, ky edicion sjell një përzgjedhje nga festivalet e filmit Oberhausen International Short Film Festival, In Between Art Film, Protocinema si dhe punime në videoart të artistëve shqiptarë.
Nata e hapjes do të organizohet në Teatrin “Migjeni” në Shkodër, ndërsa përgjatë netëve në vijim, programi filmik do të shfaqet në oborret e Familjes Hoxha dhe Familjes së Dr. Shirokës, ku një hapësirë e oborreve tipike shkodrane i çelet një publiku dashamirës të filmit.
Të ftuar të këtij edicioni do të jenë balerini Ernald Matoshi i cili do të performojë në natën e hapjes dhe atë përmbyllëse në Teatrin “Migjeni”; Alessandra Galletta, regjisorja e filmit mbi artistin Ettore Spalletti si dhe Cristina Cobianchi që do të bëjë prezantimin e projektit “All Boom Arte”, një botim mbi komunitetin e artistëve të rinj të skenës së artit bashkëkohor.
Ekrani i Artit mbështetet nga Bashkia e Shkodrës dhe Goethe Zentrum Tirana.
Edicioni i katërt i “Ekrani i Artit” mbahet nga 9 deri më 11 shtator./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?