Kaloni te përmbajtja kryesore

​Kurti: Kosovës i nevojiten prokurorë të mençur dhe gjykatës të ditur

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se 22 vite pas luftës dhe dy vjet pas plotësim-ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale, i cili mundëson gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës, hetimi dhe gjykimi i krimeve të luftës ende mbetet çështje e heshtur e institucioneve dhe e sistemit tonë të drejtësisë.

Ai ka shtuar se janë duke punuar në rritjen e numrit të prokurorëve brenda Prokurorisë Speciale.

“Sot u mbushën dy vjet prej kur Kuvendi i Republikës së Kosovës pati ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, duke mundësuar kështu gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. 22 vite pas luftës, e dy vjet pas këtij plotësim-ndryshimi, hetimi dhe gjykimi i krimeve të luftës ende mbetet çështje e heshtur e institucioneve dhe e sistemit tonë të drejtësisë. Duke pasur prioritet adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, Qeveria jonë ka bërë sërish ndryshimet e nevojshme për të lehtësuar punën e institucioneve të drejtësisë për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. Jemi duke punuar edhe në rritjen e numrit të prokurorëve brenda Prokurorisë Speciale. Ndërkaq, me themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, do të kemi më në fund dokumentim të qartë e të plotë mbi krimet e Serbisë në vendin tonë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Në fund Kurti ka thënë se Kosovës i nevojiten prokurorë aktivë e të mençur, dhe gjykatës efikasë./21Media 

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button