Osmani kërkon që Kosova të përkrahet në sigurimin e vaksinës
U.d. presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të ngarkuarën me punë nga Ambasada e Luksemburgut në Kosovë, Natacha Gomes.
Ajo e ka uruar Osmanin për rezultatin e arritur në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe është shprehur e kënaqur me inicimin e procedurave për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve, duke potencuar rëndësinë e krijimit të tyre në funksion të stabilitetit institucional dhe qeverisjes së mirë.
Në këtë takim, Gomes ka shprehur gatishmërinë e shtetit të saj për të vazhduar partneritetin mes Luksemburgut dhe Kosovës, duke e avancuar edhe më tej bashkëpunimin ndërmjet të të dy shteteve.
Osmani ka falënderuar Luksemburgun për përkrahjen e vazhdueshme,, sidomos në fushën e shëndetësisë.
Ajo ka theksuar domosdoshmërinë e menaxhimit dhe luftimit të pandemisë, duke kërkuar që Kosova të përkrahet në sigurimin sa më të shpejtë të vaksinës anti-COVID.
“Osmani poashtu ka konfirmuar përkushtimin e saj për të rritur nivelin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm me shtetin e Luksemburgut, duke theksuar se Republika e Kosovës do të jetë partner i besueshëm që synon edhe më tej thellimin e raporteve me Luksemburgun në të gjitha fushat”, thuhet në njoftimin e Presidencës./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?