Izraeli arriti marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Emiratet dhe Bahreinin
Izraeli sot nënshkroi marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin në prani të presidentit të SHBA-së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Marrëveshja u nënshkrua nga kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrat e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit, Abdullah bin Zayed al-Nahyan Abraham dhe Khalid bin Ahmed Al Khalifa.
Trump, i cili shpreson që këto marrëveshje historike do të çojnë në një rend të ri të fuqisë në Lindjen e Mesme dhe të forcojnë imazhin e tij si paqe-bërës përpara zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së, deklaroi “lindjen e një Lindjeje të Mesme të re” në ceremoninë e nënshkrimit.
“Ne jemi këtu sot për të ndryshuar drejtimin e historisë. Pas dekadash ndarjesh dhe konfliktesh, ne po shënojmë agimin e një Lindjeje të Mesme të re,”, tha Trump.
Qindra njerëz panë ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe që zyrtarizojnë normalizimin e marrëdhënieve tashmë të përmirësuara midis Izraelit dhe dy shteteve arabe, në përputhje me kundërshtimin e tyre të përbashkët ndaj Iranit.
Marrëveshjet nuk kanë të bëjnë me konfliktin izraelito-palestinez. Ndërsa, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe vendet e tjera arabe mbështesin palestinezët, administrata e Trump ka arritur të bindë të dy vendet që të mos lejojnë që ky konflikt t’i parandalojë ata të kenë marrëdhënie normale me Izraelin.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?