Kaloni te përmbajtja kryesore

Qeveria mirëpret vendimin e Gjykatës franceze

Qeveria e Kosovës vlerson se fletarrestet ndaj Haradinjat dhe luftëtarëve të UÇK-së janë politike

Qeveria e Kosovës ka përshëndetur vendimin e autoriteteve gjyqësore franceze për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt.

Qeveria përmes një komunikate bën të ditur se vendimi i Gjykatës së Francës ishte i drejtë dhe se fletarrestet ndaj tij dhe luftëtarëve të UÇK-së janë politike. ”Duke vlerësuar se fletarrestet serbe mbi bazën e të cilave është ndaluar z. Haradinaj janë të paligjshme dhe të padrejta, Qeveria e Kosovës konsideron se vendimi i Gjykatës Franceze është konfirmim se e drejta është në anën e z.Haradinaj dhe se fletarrestet serbe kundër tij dhe luftëtarëve tjerë të UÇK-së janë politike dhe kanë synime të ulëta”, bëhet e ditur në komunikatën e Qeverisë.

Qeveria më tutje shprehet se bën përpjekje që të pamundësojë keqpërdorimin e drejtësisë nga Serbia. ”Duke përgëzuar qytetarët e Kosovës për këtë fitore të drejtësisë mbi përpjekjet manipuluese të shtetit serb, Qeveria e Kosovës shpreh përkushtimin e saj të mëtejshëm për të bërë çdo përpjekje për të pamundësuar forma të tilla të keqpërdorimit të drejtësisë nga ana e Serbisë, në të ardhmen”, bëhet e ditur më tutje në komunikatë.

Ramush Haradinaj sot nga ora 19:00 do të pritet në Sheshin ”Zahir Pajaziti”.

Gjykata në Colmar të Francës ka vendosur që ta lirojë ish-kryeministrin, Ramush Haradinaj. Gjykata ka refuzuar kërkesën e Serbisë për ekstradimin e Ramush Haradinajt, kështu ai është liruar. Mbi të rëndonin akuzat e autoriteteve të Serbisë për, siç thuhet, krime lufte të kryera në periudhën e viteve 1998-1999.

Në gjykatë ishin shkuar zyrtarë të vendit, ndërkohë që jasht saj, u mblodhën një numër i madh i qytetarëve, të cilët e prisnin daljen e Haradinajt. Kreu i AAK-së u ndalua në aeroportin e Bazelit në janar të këtij vitit nga autoritetet franceze, në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia për, siç thuhet, krime lufte në Kosovë./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button