Kaloni te përmbajtja kryesore

Prokuroria Speciale ia përcjell Prokurorisë së Pejës për hetim kallëzimin penal të Hykmete Bajramit për deponinë e Sferkës

Prokuroria Speciale e Kosovës ia ka përcjellë Prokurorisë Themelore në Pejë për hetim kallëzimin penal të deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, lidhur me gjendjen në deponinë e mbeturinave në Sferkë të Komunës së Pejës, mësojnë burime të RTV21 brenda Prokurorisë Speciale.

Sipas këtyre burimeve, pas shqyrtimit të kallëzimit penal, Prokuroria Speciale ka vlerësuar se rasti nuk hyn në kompetencën e saj lëndore, pasi pretendimet e ngritura nuk përmbajnë elemente të veprave penale që trajtohen nga kjo prokurori, sipas Ligjit për Prokurorinë Speciale.

Për këtë arsye, lënda i është përcjellë Prokurorisë Themelore në Pejë, e cila ka konfirmuar pranimin e rastit dhe do ta trajtojë atë në procedurë të mëtejshme.

Burimet e RTV21 bëjnë të ditur se Prokuroria Speciale e ka njoftuar edhe parashtruesen e kallëzimit për këtë vendim, duke e udhëzuar që për çdo veprim të mëtejmë procedural t’i drejtohet Prokurorisë Themelore në Pejë.

Hykmete Bajrami kishte dorëzuar kallëzimin penal më 19 korrik 2026, duke ngritur shqetësime për gjendjen mjedisore në deponinë e mbeturinave në Sferkë.

Në kallëzimin penal, Hykmete Bajrami ka pretenduar se gjendja në deponinë rajonale të Sferkës përbën rrezik serioz për shëndetin publik dhe mjedisin. Ajo ka theksuar se, përveç zjarrit që kishte përfshirë deponinë për disa ditë, mbeturinat e pesë komunave nuk janë trajtuar sipas standardeve sanitare për më shumë se një dekadë, duke shkaktuar ndotje të ajrit, tokës dhe ujërave.

Bajrami ka kërkuar nga Prokuroria që të hetojë përgjegjësinë e Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), si operator i deponisë, si dhe të institucioneve dhe zyrtarëve përgjegjës për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e saj ndër vite. Ajo ka kërkuar hetime për rrezikimin e shëndetit publik, ndotjen e mjedisit, shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm, si dhe për të verifikuar nëse ka pasur mosveprim ose keqpërdorim të detyrës zyrtare./RTV21

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button