Haxhiu: SHBA-ja dhe BE-ja ta dënojnë gjuhën shoviniste të Vuçiqit e Bërnabiqit

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që ta dënojnë siç ka thënë gjuhen shoviniste, revizioniste dhe nxitëse të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq si dhe të kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq.
Në një postim në Facebook Haxhiu ka thënë se derisa qytetarët e Kosovës ende presin zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë nga regjimi i Millosheviqit, “Vuçiqi dhe Bërnabiqi, vazhdojnë me deklarata që mohojnë shtetësinë e Kosovës dhe ripërtërijnë pretendimet e Serbisë ndaj territorit tonë”.
Këto deklarata sipas Haxhiut janë vazhdim i gjuhës së mohimit, urrejtjes dhe propagandës mbi të cilën siç ka thënë ajo, u ngrit politika shoviniste dhe ekspansioniste e regjimit të Millosheviqit.
“I bëjmë thirrje SHBA-ve dhe BE-së, që ta dënojnë qartë këtë gjuhë shoviniste, revizioniste dhe nxitëse. Pretendimet territoriale ndaj një shteti fqinj dhe retorika që përsërit narrativat e regjimit të Millosheviqit nuk kanë vend në Evropën e shekullit XXI dhe nuk duhet të trajtohen si deklarata të zakonshme politike”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?