Kaloni te përmbajtja kryesore

LDK vendos vijën e kuqe, Manaj: Gazi amerikan është kusht kyç, pa të LDK nuk vazhdon bisedimet

(Lajm i përditësuar)

LDK vendos vijën e kuqe, Manaj: Gazi amerikan është kusht kyç, pa të LDK nuk vazhdon bisedimet

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shkëmb Manaj në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se diskutimet për tejkalimin e ngërçit politik dhe konstituimin e institucioneve do të vazhdojnë, por ka theksuar se projekti i gazit amerikan mbetet një nga kushtet kyçe për avancimin e bisedimeve.

Manaj tha se takimi i zhvilluar deri më tani ka qenë vetëm hapi i parë drejt arritjes së një dakordimi më të gjerë.

“Do të vazhdojnë diskutimet për të zgjidhur ngërçin dhe për t’i konstituuar institucionet e Kosovës. Ne do të jemi në funksion të stabilitetit dhe funksionalizimit të shtetit. Është shumë e rëndësishme që vendit t’i sigurohet stabilitet institucional. Ky ka qenë vetëm takimi i parë”, u shpreh ai.

Sipas Manajt, fillimisht palët duhet të dakordohen për çështjet themelore që kanë të bëjnë me drejtimin e vendit, politikën e jashtme dhe çështjet e brendshme.

Ai veçoi projektin e gazit amerikan si një nga temat më të rëndësishme të diskutimeve.

“Duhet të dakordohemi për çështjet e përgjithshme, që nënkuptojnë drejtimin e Kosovës, raportet e Kosovës me jashtë, por edhe çështjet e brendshme, duke përfshirë edhe çështjen e gazit amerikan, që është njëra prej temave kyçe. Pa këtë, LDK nuk mund të diskutojë më tutje”, deklaroi Manaj.


”Nuk na bashkon, mund të krijojë përçarje”, Manaj kritikon Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shkëmb Manaj në ”Click” të RTV21  ka vlerësuar se Kuvendi i Jashtëzakonshëm i partisë nuk ishte i nevojshëm në rrethanat aktuale, duke paralajmëruar se një proces i tillë mund të krijojë ndarje brenda LDK-së.

Manaj tha se procesi u iniciua nga disa delegatë të LDK-së, por sipas tij, zhvillimi i këtij kuvendi nuk ishte në interes të partisë, sidomos duke pasur parasysh situatën politike në vend.

“Ne kemi hyrë në një proces, sepse ky proces është ngritur nga disa delegatë të LDK-së. Në vlerësimin tim, ky kuvend është i guximshëm, por në rrethanat e tilla LDK-së nuk i është dashur. Ne kemi dalë nga një kuvend në janar dhe, duke marrë parasysh rrethanat në të cilat ndodhet Kosova, ky Kuvend i Jashtëzakonshëm nuk ka qenë i nevojshëm”, tha Manaj.

Ai shtoi se një kuvend i tillë nuk kontribuon në unitetin e partisë, por mund të prodhojë ndarje të panevojshme.

“Një kuvend i tillë nuk është kuvend që na përbashkon në kuadër të partisë, por mund të krijojë përçarje që nuk do t’i duhen LDK-së”, deklaroi Manaj.


”LDK nuk lëshon pe”, Manaj:Presidenti dhe kryeministri nuk mund të jenë nga i njëjti subjekt politik

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shkëmb Manaj, ka deklaruar se partia mbështet vazhdimin e bisedimeve për formimin e institucioneve të reja, duke theksuar se prioritet mbetet funksionalizimi i shtetit pas zgjedhjeve.

Në emisionin Click në RTV21, Manaj tha se LDK-ja ka shprehur gatishmërinë për të qenë pjesë e konstituimit të institucioneve, por nënvizoi se çdo marrëveshje për bashkëqeverisje duhet të jetë në interes të Kosovës dhe të respektojë parimet e partisë.

“Duhet të vazhdojnë bisedimet, sepse është me rëndësi që të themelohen institucionet e vendit pas këtyre zgjedhjeve. Ne kemi shprehur gatishmërinë që të jemi pjesë e konstituimit të institucioneve dhe, nëse formula e bashkëqeverisjes është e përshtatshme për LDK-në, por jo vetëm për LDK-në, edhe për shtetin, atëherë mund të ecim përpara”, tha Manaj.

Ai theksoi se një nga kushtet e panegociueshme të LDK-së është ndarja e posteve më të larta shtetërore.

“Ne kemi kërkesa shumë të qarta që pozitat e presidentit dhe kryeministrit asnjëherë të mos i takojnë të njëjtit subjekt politik. Këto janë parimet tona dhe, pasi të kalohen këto çështje, mund të bisedojmë për një koalicion bashkëqeverisës, që mendoj se i duhet Kosovës”, deklaroi Manaj.


Manaj: Kandidati ynë për presidente mbetet Vjosa Osmani

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shkëmb Manaj në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se prioritet në këtë fazë është themelimi i institucioneve të vendit, duke ritheksuar gatishmërinë e partisë për të qenë pjesë e tyre.

Manaj tha se Kuvendi do të thirret brenda afatit minimal ligjor dhe se mbledhja do të mbahet para seancës konstituive.

“Ky Kuvend do të thirret në afatin sa më të shpejtë minimal. Ky Kuvend do të mbahet para seancës konstituive”, tha Manaj.

Ai shtoi se LDK e konsideron të domosdoshëm funksionalizimin e institucioneve, duke theksuar se partia është e gatshme të kontribuojë në këtë proces.

“Mendoj që duhet të vazhdojë, sepse është më me rëndësi që të themelohen institucionet e vendit. Ne kemi shprehur gatishmërinë tonë që të jemi pjesë e institucioneve të Kosovës”, u shpreh Manaj.

Duke folur për çështjen e presidentit, Manaj theksoi se qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar dhe se kandidatura e partisë mbetet presidentja aktuale, Vjosa Osmani.

“LDK-ja e ka kandidaten e saj për presidente, Vjosa Osmanin”, deklaroi ai.


Manaj: Kuvendi i LDK-së do të thirret në afatin minimal, para seancës konstituive

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shkëmb Manaj, ka deklaruar se mbledhja e Kuvendit do të thirret brenda afatit më të shkurtër të mundshëm, duke theksuar se ajo do të mbahet para seancës konstituive.

I ftuar në emisionin Click në RTV21, Manaj u shpreh se procedurat do të respektojnë afatet ligjore minimale.

“Ky Kuvend do të thirret në afatin sa më të shpejtë minimal. Ky Kuvend do të mbahet para seancës konstituive”, tha Manaj.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button