Kaloni te përmbajtja kryesore

​Ferati: Brenda 7 ditëve e kryejmë vlerësimin e dëmeve, Muja s’po jep zotim për kompensime

Kryetari i komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka thënë se që nga ora 09:00 e mëngjesit janë në terren për t’i parë dëmet e krijuara në kultura bujqësore nga breshri i djeshëm.

Në një vizitë të përbashkët me ministrin e Bujqësisë, Armend Muja ai tha se brenda shtatë ditëve kalendarike do ta përfundojnë raportin e vlerësimit të dëmeve i cili do të del para Kuvendit Komunal dhe do t’i drejtohet Ministrisë dhe Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave.

Vecse u shfaq me dyshime meqë, siç tha, s’mori zotim konkret nga ministri Muja, për kompensimin e bujqve.

“Besoj që brenda shtatë ditëve kalendarike ne e përfundojmë raportin e vlerësimit i cili del para kuvendit dhe menjëherë i drejtohet Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave. Mua më gëzon fakti që ka gjetur kohë ministri, mirëpo çka nuk po më gëzon është që nuk po mbërrijmë që të marrim një zotim konkret edhe në pyetjet e gazetarëve edhe timen me i ditur këta fermerë dhe këta bujq se të vetmen të ardhur e kanë bujqësinë, a ka me ju kompensuar ndonjë përqindje e dëmit, qoftë ajo edhe 5%, qoftë 10%, pavarësisht prej kapaciteteve financiare, ku e di se Qeveria e Kosovës ka të planifikuara në linjë buxhetore përmes Ministrisë së Financave fond buxhetor për reagim në situata të fatkeqësive natyrore”, tha Ferati, raporton KosovaPress.

Tutje, Ferati tha se fermerët e Istogut nuk janë kompensuar as për dëmet e viteve të kaluara. Andaj u zotua se do t’i bëjë thirrje të vazhdueshme qeverisë që bujqit të kompensohen në mënyrë që të kenë motiv për të vazhduar tutje.

Ferati: I bëjmë thirrje qeverisë që të kompensohen bujqit, të kenë motiv për të vazhduar tutje

VIDEO: 

“S’janë kompensuar asnjë send asnjëherë. Ne jemi bërë jemi bërë ekspertë, po jemi bërë ekspertë të vlerësimit edhe e kryejmë në përpikëri edhe me precizitet të madh pjesën e vlerësimit sepse njerëzit veç kanë krijuar përvojë. Uroj, shpresoj edhe sigurisht që kemi me bërë thirrje të vazhdueshme drejt Qeverisë së Kosovës, pa bazë në akuza, po me kërkesa zyrtare edhe vlerësime profesionale që këta bujq me u kompensuar në mënyrë që me pasur motivin me vazhduar tutje, përndryshe secili njeri normal kish me pasur një thyerje shpirtërore pas një fatkeqësie të tillë edhe kish me rimenduar se a ka me vazhduar me u marrë me këtë aktivitet apo jo në të ardhmen. Edhe po e kërkoj publikisht si kryetar i komunës që me i kthyer sytë nga këta bujq. S’ka nevojë me na përfshirë neve fare, për arsye politike po përjashtohemi krejt, veç po e kryejmë punën tonë procedurale, veç bujqit të kompensohen. Kjo është kërkesa jonë, kjo është kërkesa jonë në të rrallat që i bëjmë publikisht”, tha Ferati.

Kreu i komunës së Istogut, i ka vizituar të gjtihë fermerët të e fshatit Kovragë, fshat ky i cili është më i prekuri nga dëmet natyrore të shkaktuara dje në këtë komunë.

Ndërsa sot, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja gjatë një bisede me një fermer të Istogut premtoi meritokraci.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button