Oda Ekonomike Shqiptare reagon: Mos e lidhni institucionin me çështje private të bizneseve

Oda Ekonomike Shqiptare ka reaguar përmes një komunikate për media, duke e cilësuar të papranueshme çdo përpjekje për ta lidhur institucionin me çështje që kanë të bëjnë me veprimtarinë private të bizneseve apo individëve.
Në komunikatë thuhet se, nëse ekziston një procedurë ligjore ndaj një kompanie, ajo duhet të trajtohet ekskluzivisht nga institucionet kompetente dhe në përputhje me parimin e prezumimit të pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
“Oda Ekonomike Shqiptare e konsideron të papranueshme çdo përpjekje për ta lidhur institucionin tonë me çështje që kanë të bëjnë me veprimtarinë private të bizneseve të individëve”, thuhet në reagim.
Më tej, Oda thekson se është institucion i pavarur, i cili vepron në funksion të zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit ekonomik shqiptaro-shqiptar, duke vlerësuar se nuk duhet të përfshihet në narrativa që lidhen me raste individuale.
Në komunikatë përmendet edhe kryetari i Odës Ekonomike Shqiptare, Hyzer Gashi, për të cilin thuhet se, në cilësinë e drejtuesit të institucionit, ka dhënë kontribut të rëndësishëm në ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas Odës, këto arritje nuk mund dhe nuk duhet të identifikohen me çështje që i përkasin një biznesi privat.
Në fund të komunikatës, Oda Ekonomike Shqiptare rithekson përkushtimin ndaj sundimit të ligjit, respektimit të institucioneve dhe forcimit të bashkëpunimit ekonomik ndërshqiptar, duke shprehur bindjen se e vërteta dhe drejtësia do të mbizotërojnë.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?