Rrustemi për opozitën: Nëse s’kanë më qasje bllokuese, do të gjendet zgjidhja për institucionet

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Adnan Rrustemi, ka deklaruar se pret që bisedimet ndërmjet partive politike të rezultojnë me një marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja, duke i bërë thirrje partive të ish opozitës të heqë dorë nga, siç e quajti ai, “qasja bllokuese e 18 muajve të fundit”.
Rrustemi tha se LVV-ja, së bashku me partnerët e koalicionit të deritanishëm Guxo dhe Alternativa si dhe deputetët e komuniteteve joserbe, i ka votat për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë, ndërsa shtoi se zgjerimi i shumicës do të varet nga gatishmëria e partive të tjera.
“Ne jemi optimistë se do të kemi një zgjidhje dhe do të ecim përpara. Megjithatë, vetë takimet do ta japin rezultatin, por duhet të kujtojmë se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit kishim takime, por jo konkretizim të bashkëpunimit, pasi kishim një pozicionim të qartë të opozitës për ta dërguar vendin në zgjedhje. Uroj që opozita të heqë dorë nga qasja 18-muajshe e destruktivitetit dhe bllokimit të institucioneve. Nëse kanë hequr dorë, natyrisht se jam i bindur se do të gjendet një zgjidhje. Duhet të ketë një minimum vullneti te opozita që maksimumi i gatishmërisë sonë, që është i pranishëm, do të mundësojë një marrëveshje”, theksoi ai për KosovaPress.
Sipas tij, ditët deri në seancën konstituive duhet të shfrytëzohen maksimalisht për të arritur një dakordim politik, duke kujtuar se ekziston edhe afati kushtetues prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit.
“Është mirë që t’i jepet kohë e mjaftueshme diskutimeve të drejtuesve të partive politike, me shpresë se do të ketë vullnet dhe qasje konstruktive për t’i krijuar institucionet. Megjithatë, siç e thashë, është edhe afati tjetër prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit. Sido që të jetë, këto ditë në dispozicion deri te seanca konstituive është mirë që të shfrytëzohen maksimalisht për të pasuar konstituimin e të gjitha institucioneve”, shton ai.
Ai shtoi se modalitetet e bashkëpunimit për krijimin e institucioneve të reja do të përcaktohen në takimet ndërmjet partive politike, ndërsa theksoi se zgjerimi i mazhorancës varet nga gatishmëria e të gjitha palëve.
“LVV-ja, bashkë me partnerët që kanë qenë në koalicion edhe herën e kaluar dhe deputetët e komuniteteve joserbe, i kemi votat e mjaftueshme për ta konstituar Kuvendin dhe zgjedhur Qeverinë. Nga këto takime do të përcaktohen modalitetet eventuale të bashkëpunimit, por kjo varet edhe nga gatishmëria e palëve të tjera dhe gatishmëria e LVV-së për ta zgjeruar mazhorancën. Mbi të gjitha, këto janë dy çështje dhe nuk është procesi i njëjtë. Mund të ndërlidhen nëse ka vullnet, por nuk duhet të shihet si proces i njëjtë çështja e presidentit me Qeverinë. Mund të mos jesh pjesë e Qeverisë, por duhet të jesh konstruktiv për çështjen e presidentit”, tha ai.
Duke folur për vendimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të pezulluar negociatat për shkak të zhvillimeve të brendshme në këtë parti, ai tha se iniciativat për shkarkimin e Abdixhikut janë çështje të brendshme të partisë, ndërsa shtoi se LVV-ja vazhdon komunikimin me lidershipin aktual.
“Këto janë procese që nuk janë të ndërlidhura, por paralele. Proceset e brendshme të LDK-së janë punë e tyre dhe afatet për krijimin e institucioneve janë strikte. Aktualisht LDK-ja ka këtë lidership dhe për ne komunikimi do të bëhet me drejtuesit legalë dhe legjitimë. Nëse ndryshon diçka ndërkohë, ajo është çështje tjetër. Aktualisht komunikimi bëhet me zotërinë Abdixhiku. Është me rëndësi që të hiqet dorë nga ky plan”, deklaroi ai.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?