Kosova me tri kërkesa për BE-në pas deklaratës fashiste të ministres serbe për “pastrim etnik”

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i ka kërkuar Bashkimit Evropian që të reagojë ndaj deklaratave të ministres serbe të Administrimit Publik dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezana Paunoviq, të cilat ai i ka cilësuar si të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat evropiane.
Në një letër drejtuar Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, Konjufca ka dënuar deklaratat e Paunoviqit, e cila në një intervistë televizive kishte deklaruar se, po të ishte në pozitën e ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, “do ta kishte pastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët”.
Konjufca ka vlerësuar se këto deklarata përbëjnë avokim të hapur për pastrim etnik dhe retorikë fashiste, duke i cilësuar si glorifikim të krimeve të luftës dhe nxitje të urrejtjes.
“Një deklaratë e tillë përfaqëson një glorifikim të qëllimshëm të krimeve të luftës, nxitje të urrejtjes dhe një kërcënim direkt për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Konjufca në letrën drejtuar zyrtares së lartë evropiane.
Ai ka thënë se deklaratat e mëvonshme të Beogradit, përmes të cilave është tentuar distancimi nga komentet e ministres serbe, nuk janë të mjaftueshme.
“Ne i shohim ato më shumë si një përpjekje sa për të larë gojën sesa si një pendesë të sinqertë dhe kuptimplotë”, ka deklaruar Konjufca.
Sipas tij, deklaratat e Paunoviqit nuk mund të trajtohen si një “gafë e thjeshtë”, pasi, siç ka shkruar ai, e gjithë intervista ka përmbajtur qëndrime “thellësisht revizioniste dhe armiqësore”.
Konjufca ka kritikuar edhe reagimin e Bashkimit Evropian, duke thënë se ai ishte i kufizuar dhe erdhi vetëm pas më shumë se 48 orësh, kur çështja ishte bërë temë e diskutimit në rajon dhe më gjerë.
Në letrën e tij, ministri në detyrë i MPJD-së i ka kërkuar BE-së që: të dënojë publikisht dhe qartë deklaratat e ministres serbe;t’u rikujtojë autoriteteve serbe se deklaratat e tilla janë të papajtueshme me vlerat evropiane; ta trajtojë këtë çështje në kuadër të dialogut BE-Serbi dhe procesit të integrimit evropian të Serbisë.
Konjufca ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj një demokracie shumëetnike dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjitha komuniteteve, duke shtuar se “pastrimi etnik dhe ndëshkimi kolektiv në të gjitha format e tyre” janë të papranueshme.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?