Kaloni te përmbajtja kryesore

Dënohet me 24 vjet burgim i akuzuari për vrasjen në Zllakuqan pas mosmarrëveshjes së fëmijëve

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Skender Krasniqit duke e dënuar me dënim unik prej 24 vjet burgim për vrasjen e F.Z. Gjykata ia rikualifikoi Krasniqit veprën penale nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje”.

Krasniqi akuzohet për vrasjen e F.Z., në gusht të 2024-ës në Zllakuqan të Lipjanit pas mosmarrëveshjes së fëmijëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga trupi gjykues me kryetar gjykatësin Gent Beka dhe anëtarët Gazmend Bahtiri dhe Sulltane Hoti.

Gjykata bëri rikualifikimin e veprës penale nga “Vrasja e rëndë” në “Vrasje”, duke e dënuar me 22 vjet burgim. Kurse, për armëmbajtje pa leje i akuzuari u dënua me 2 vjet e 6 muaj burgim. Ndaj Krasniqit, u shpall dënim unik me 24 vjet burgim.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese pas pranimit të vendimit në formë të shkruar.

Prezent në shpallje ishin prokurori Menduhi Kastrati, pala e dëmtuar, mbrojtësi i Krasniqit- avokati Ilir Ramaj. Ndërkaq, mungoi i akuzuari.

Në seancën fillestare më 15 korrik 2025, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button