Therje me thikë në Ferizaj, dy persona përfundojnë në Emergjencë

Një person dyshohet se ka sulmuar sot rreth orës 07:50 dy të tjerë me mjet të mprehtë (thikë).
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli i cili tha se të lënduarit janë transportuar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Ferizajt, pasi kanë marrë ndihmën e parë në vendin e ngjarjes nga ekipet mjekësore.
“Sot, rreth orës 07:50, kemi pranuar informatën se në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në afërsi të Postës Qendrore në Ferizaj, ka ndodhur një incident, ku një person dyshohet se ka sulmuar dy persona me mjet të mprehtë (thikë), të cilët janë transportuar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Ferizajt, pasi kanë marrë ndihmën e parë në vendin e ngjarjes nga ekipet mjekësore”, ka thënë Veseli.
I dyshuari sipas policisë është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.
“I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë veprime intensive hetimore për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit. Për informacione shtesë, opinioni publik do të njoftohet përmes raportit vijues”.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?