Kaloni te përmbajtja kryesore

Ymeri e LDK-së: Hilet dhe mashtrimet e Kurtit mund ta dërgojnë vendin në zgjedhje

Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mungesë iniciative për t’i takuar partitë politike me qëllim të formimit të institucioneve. Në një bisedë për RTV21, deputetja Ymeri tha se kjo është pjesë e një skenari të Kurtit për ta dërguar sërish vendin në zgjedhje të reja.

“Fakti që është vonuar kaq shumë në fillimin e takimeve për formimin e institucioneve tregon se ka mundësi të përsëritet skenari i herës së kaluar, që de facto dështoi në zgjedhjen e presidentit. E njëjta gjë po duket edhe këtë herë. Por, nuk besoj se përgjigjja do të jetë e njëjtë në zgjedhjet e tjera parlamentare dhe se nuk do të ketë reagim nga elektorati, ndryshe nga ajo me çka është mësuar deri tash.”, tha Ymeri.

Deputetja Ymeri tha se deri më tash nuk ka pasur asnjë takim ndërmjet Kurtit dhe Abdixhikut për formimin e institucioneve.

“Deri më tash e di që nuk ka pasur takime mes LDK-së dhe LVV-së. Nëse do të ketë takime, gjithçka do të vijë edhe në tavolinën e Grupit Parlamentar të LDK-së, për të parë nëse ka pajtim ndërmjet grupit parlamentar dhe strategjisë që vendoset për të ardhmen. Nëse je parti politike, duhet të veprosh në përputhje me atë që është në interes të vendit dhe të bisedosh se cili president duhet të zgjidhet. Faktikisht, ne jemi në pozitën e vendimmarrjes, mirëpo kjo nuk do të thotë se mund të pranojmë çfarëdo që ofrohet nga Kurti.”, deklaori Ymeri.

Deputetja Ymeri ka komentuar edhe deklaratat e kryeministrit Kurti, i cili ka thënë se prioritet është konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë, ndërsa për zgjedhjen e presidentit kërkohet konsensus. Sipas deputetes Ymeri, zgjedhja e presidentit të ri duhet ta ketë pajtimin e të gjitha partive parlamentare, përkatësisht së paku 81 deputetëve.

“Sinjalet janë për zvarritje, por politika është e paparashikueshme. Nga rreziku se çka mund të ndodhë më pas dhe sa vota mund të humbë, Albin Kurti mund të jetë më i vetëdijshëm këtë herë për pasojat që mund të ketë. Nuk do të thotë se në një marrëveshje politike patjetër duhet të tregosh se kë dëshiron ta bësh president dhe ta caktosh dikë vetëm katër apo tetë orë përpara. Pra, jo domosdoshmërisht marrëveshje politike, por patjetër pajtim me të gjitha partitë ose të paktën sigurimi i 81 votave.”, tha Ymeri.

Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, po ashtu tha se qytetarët janë lodhur nga mashtrimet e Kurtit.

“Njëjtë është sjellja e tij siç ka ndodhur edhe në të kaluarën. Por, nga hera e kaluar dallon fakti se atëherë pasuan zgjedhjet parlamentare të rregullta dhe nuk pati reagim nga qytetarët. Këtë herë nuk besoj se njerëzit kanë durim të presin hilet e tij dhe mashtrimet, se kinse po mundohet për këtë vend, kur gjen kohë edhe për pushime.”, tha Ymeri./RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button