Kaloni te përmbajtja kryesore

​ZKA fillon auditimin e sistemit për regjistrimin e bizneseve në ARBK

Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e teknologjisë së informacionit për Sistemin e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, për periudhën 2025-2026.

Sipas njoftimit, auditimi ka për qëllim të vlerësojë kontrollet e aplikacionit dhe sigurisë së aplikacionit për Sistemin e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës. Fushëveprimi i këtij auditimi do të jetë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), me qendrat komunale për regjistrimin e bizneseve, e cila është përgjegjëse për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e Sistemit të Regjistrimit të Bizneseve dhe divizioni përkatës për administrimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit.

“Sistemi i Regjistrimit të Bizneseve ndikon në efikasitetin institucional duke mundësuar ofrimin e shërbimeve elektronike për qytetarët dhe bizneset, përfshirë krijimin e llogarisë, aplikimin për regjistrim të biznesit, si dhe paraqitjen e kërkesave për ndryshim dhe menaxhimin e të dhënave”, thuhet në komunikatë.

Sipas të dhënave të ARBK-së deri në vitin 2026 në Kosovë janë të regjistruara 265,992 biznese, prej të cilave 134,914 janë aktive, 93,532 pasive dhe 37,546 të çregjistruara.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button