Oda Ekonomike Amerikane: Investimet në gazin amerikan forcojnë sigurinë energjetike të Kosovës

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thekson se ka përcjellë me vëmendje deklaratat e fundit publike të anëtarëve të kabinetit të Qeverisë në detyrë lidhur me orientimin e politikës energjetike të vendit.
Kjo odë në një njoftim për media thotë se beson se prioritetet e paraqitura nuk adresojnë në mënyrë të duhur nevojën e Kosovës për të rritur kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë elektrike, zvogëlimin e varësisë nga importet e rrjedhimisht fuqizimin e sigurisë së furnizimit.
“ Çështja thelbësore nuk është nëse Kosova mund të importojë energji elektrike të prodhuar në vendet fqinje. Pyetja strategjike është nëse Kosova duhet të vazhdojë të mbështetet në importin e energjisë elektrike si produkt i gatshëm, apo të investojë në ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese brenda vendit, të cilat forcojnë sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë ekonomike dhe pavarësinë strategjike të saj”.
Oda Amerikane vlerëson se zhvillimi i kapaciteteve të reja vendore duhet të jetë prioritet kombëtar.
Sipas kësaj ode, kjo është edhe një nga arsyet kryesore pse shumë shtete evropiane kanë investuar dhe vazhdojnë të investojnë në infrastrukturën për LNG, përfshirë LNG-në amerikane.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka ripërsëritur qëndrimin e saj se në një kohë kur gjithnjë e më shumë vende evropiane po e shohin LNG-në amerikane si një investim strategjik në sigurinë e tyre energjetike dhe kombëtare, Kosova nuk duhet ta humbasë këtë mundësi.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?