Osmani: Marshi në Tetovë është reagim qytetar, jo politik
June 25, 2026Përditesimi i fundit: June 25, 2026
Ish-kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe juridike në vend, duke e lidhur çështjen e emrave të rrugëve dhe shesheve në Tetovë me debatin për gjuhën shqipe.
Sipas Osmanit, vendimi për anulimin e emrave të rrugëve dhe shesheve në Tetovë nuk ka qenë i rastësishëm, por një “test” për vendimet e ardhshme që lidhen me gjuhën shqipe.
Ai ka theksuar se këto zhvillime lidhen drejtpërdrejt me të ardhmen e barazisë dhe përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.
Osmani ka bërë thirrje edhe për mobilizim qytetar, duke theksuar se marshi në Tetovë nuk është marsh i një partie politike, por i gjithë qytetarëve që kërkojnë barazi dhe të drejta të barabarta.
”VENDIMI PËR RRUGËT DHE SHESHET NË TETOVË ISHTE TESTI PËR VENDIMIN E MADH PËR GJUHËN SHQIPE
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese antishtetërore, Darko Kostadinovski, mbrëmë deklaroi se çështjen e gjuhës “do ta mbyllë”, “do ta zgjidhë” dhe se “askush nuk mund ta ndalë”. Kjo nuk është befasi. Vendimi për anulimin e emrave të rrugëve dhe shesheve në Tetovë nuk ishte i rastësishëm. Ai ishte vetëm testi se si do të kalojë vendimi i madh – ai për gjuhën shqipe.Prandaj, sot më shumë se kurrë, gjithçka është në duart tona. Jo vetëm emrat e rrugëve dhe shesheve, por edhe e ardhmja e gjuhës shqipe në këtë shtet. Marshi në Tetovë nuk është marsh i një partie politike. Është marsh i çdo shqiptari dhe i çdo qytetari që e do këtë vend, që beson në barazi dhe që dëshiron një të ardhme të përbashkët, të drejtë dhe evropiane për të gjithë. Tani është koha të dëshmojmë se vlerat e Marrëveshjes së Ohrit dhe barazia nuk preken pa hasur në rezistencën demokratike të qytetarëve”, ka shkruar Osmani.