Inspektorati me aksion: Mbyllen tri qendra masazhi dhe shqiptohen pesë gjoba

Inspektorati Qendror i Tregut ka zhvilluar aksion inspektimesh në qendra të masazhit dhe lokale të muzikës, gjatë ditëve të fundit.
Në njoftimin e Ministrisë bëhet me dije se si rezultat i mungesës së dokumentacionit të nevojshëm dhe mosrespektimit të orarit të punës, janë mbyllur tri qendra masazhi, prej të cilave dy në Komunën e Gjakovës dhe një në Komunën e Rahovecit.
Ndërkohë janë shqiptuar pesë gjoba ndaj subjekteve që nuk kanë prezantuar dokumentacionin e kërkuar gjatë procesit të inspektimit.
Në total janë realizuar 98 inspektime.
“Me qëllim të garantimit të ushtrimit të ligjshëm të veprimtarive ekonomike dhe respektimit të legjislacionit në fuqi, IQMT, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, do të vazhdojë organizimin e aksioneve të përbashkëta inspektuese në të gjithë vendin”, thuhet në njoftim.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?