Dhunë në familje në Ferizaj, gruaja përfundon në emergjencë, bashkëshorti në pranga

Një person është arrestuar në Ferizaj nën dyshimin për lëndim trupor ndaj bashkëshortes së tij, pas një rasti të raportuar si dhunë në familje.
Sipas Policisë, më 24 qershor 2026, rreth orës 23:45, Stacioni Policor në Ferizaj ka pranuar një informatë për një incident të dhunës në familje. Menjëherë pas pranimit të njoftimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se pas një mosmarrëveshjeje, një grua ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
I dyshuari ishte larguar nga banesa para arritjes së policisë, ndërsa viktima është dërguar në Emergjencën e Ferizajt për të marrë trajtim mjekësor.
Policia ka bërë të ditur se më vonë ka arritur ta arrestojë të dyshuarin. Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit të shtetit, rasti është cilësuar si “lëndim trupor”, ndërsa i dyshuari, mashkull kosovar, është ndaluar për 48 orë.
Hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë nga Njësia e Hetimeve për Dhunë në Familje.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?