Kaloni te përmbajtja kryesore

”Kur nuk ka zot shtëpie kështu vjen situata”, Kosova vazhdon të mbulohet nga produktet e importit

Derisa subjektet politike në Kosovë presin certifikimin e rezultatit zgjedhor për të nisur negociatat për formimin e institucioneve, qytetarët në Kosovë vazhdojnë të ballafaqohen me çmime të larta të produkteve.

Për RTV21 disa qytetarë fajtor kryesor për situatën e krijuar me çmime t papërballueshme dhe inflacionin që aktualisht është më i larti në rajon dhe Evropë, e shohin bllokadën politike të krijuar.

“Kur nuk ka zot shtëpie e ki kështu situatën. Kërkush nuk na doli në ndihmë na nuk kërkuam lluks por vetëm të na lirohet shporta familjare”, tha qytetari.

“Fajin kryesor e kanë partitë politike”, u deklarua qytetari.

“Jeta është ardh e zorshme”, tha qytetari.

Kosova vlerësohet të ketë hyrë në një valë të vrullshme të inflacionit së paku që nga gjysma e vitit të kaluar si pasojë e një numri vendimesh institucionale, siç ishte shtrenjtimi i rrymës për të gjithë konsumatorët por edhe nxjerrja e një numri të madh biznesesh në tregun e hapur energjetik.  Ndërkohë, kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, përmend edhe zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe mos gatishmërinë e institucioneve për të ndërmarrë masa për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve.

“Qeveria nuk ndërmorri masa që t’iu dalë në ndihmë bizneseve pra një paketë për biznese që së paku kish ndihmu në ngadalësimin e inflacionit po pse jo edhe me ulë inflacionin, sepse nuk ka qenë vetëm ndikimi nga rrethanat e jashtme por ishte edhe brenda me çështjen e energjisë.”, tha Rafuna.

Ndërkohë, Rafuna ka komentuar edhe pakon e një hershme prej 100 eurove për kategori të ndryshme qytetarësh për ballafaqim me inflacionin, duke thënë se inflacioni ndalet vetëm me lëvizje fiskale dhe se pako të tilla rrezikojnë që ta nxisin edhe më shumë inflacionin.

“Inflacioni me pako ad-hoc të njëhershme shpërndarje të parave veç sa rrezikon që të rritet. Për ngadalësimin e inflacionit duhet të ketë masa të politikave fiskale, ani pse nuk e kemi monedhën tonë, nëpërmjet interesave të bankave mund të ketë ngadalësim të inflacionit apo edhe ulje të inflacionit dhe masat administrativ”, tha Rafuna.

Mos veprimin e shpejtë institucional në kohën e duhur e përmend edhe drejtori i dhomës së tregtisë Kushtrim Ahmeti. Ahmeti ngre alarmin edhe për importin e lartë në Kosovë i cili siç thotë po sjellë edhe inflacionin e lartë.

Sipas matjeve të fundit të agjencisë së statistikave Kosova pati rritje të deficitet tregtar për 4 për qind në muajin maj 2026 në krahasim me periudhën e njejtë të vitit paraprak. Kosova në maj bleu mallra nga shtetet e tjera mbi 638 milionë euro ndërsa ka shitur mallra pak më shumë se 94 milionë euro, duke vazhduar kështu ta thellojë deficitin tregtar muaj pas muaji./RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button