”Kos do të mundohet ta mbaj gjallë dialogun”

Sot në Prishtinë institucionet në detyrë do ta presin një mysafire Evropiane. Komisioni Evropian, ka konfirmuar për RTV21 se komisionerja për zgjerim Marta Kos do të zhvillojë vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë. Sipas komisionit, vizita nënvizon mbështetjen e palëkundur të BE-së për perspektiven Evropiane të Kosovës dhe siç thanë nevojën për reforma të shpejta e vendimtare për avancimin e rrugës për integrimin evropian.
“Gjatë vizitës, Komisionerja Kos do të takohet me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për të diskutuar nevojën për përshpejtimin e reformave drejt BE-së, si dhe shfrytëzimin maksimal të mundësive që ofron Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Komisioni Evropian bëri të ditur se Kos gjithashtu do të zhvilloi takime edhe me përfaqësues të shoqërisë civile, përfshirë gra udhëheqëse nga industri të ndryshme. Kos një vizitë të ngjashme e kishte paralajmëruar edhe para dy muajve, por më pas ishte anuluar si shkak i zhvillimeve politike në Kosovë. Ajo, vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë e paralajmëroi ditë më parë në një takim të ministrave të jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Në këtë takim përveç diskutimeve për integrimin e Ballkanit në BE, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ishte çështje e një interesi të veçantë. Edhe pse ministri në detyrë i jashtëm Glauk Konjfuca tha se nuk pret ndonjë zhvillim të shpejtë në dialog, ambasadori i karrierës Albert Prenkaj, vlerëson se ndër qëllimet kryesore të vizitës së komisioneres Kos në Kosovë është edhe siç thotë mbajtja gjallë e dialogut Kosovë-Serbi.
“Sigurisht se një nga qëllimet është edhe dialogu mes Kosovës edhe Serbisë i cili ka hyrë në një qorr sokak, por që do të mundohet që së paku të zhvillohen diskutime ashtu prapa perdeve…”, tha Prenkaj për RTV21.
Vizita e komisioneres Kos në Kosovë gjithashtu pason edhe dy takime të ndara të emisarit për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, me kryenegociatorët e të dy shteteve, Agron Bajrami dhe Petar Petkoviq, Në këtë situatë, ambasadori Albert Prenkaj vlerëson se BE po provon që së paku të rregullohen aspektet teknike të dialogut.
“Sigurisht se do të provohet që të mos e lënë pa punë Sorensenin…”, deklaroi Prenkaj.
Ndonëse nuk dihet nëse Kos do t’ia arrijë qëllimit të saj që ta mbajë gjallë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, një gjë tashmë është e qartë se bllokada politike dhe ngërçi në të cilin është futur Kosova me ciklet e shpeshta të zgjedhjeve po ia rrezikojnë vendit seriozisht humbjen e mjeteve të ndara nga plani i rritjes i BE-së.
“Në skenarin më të keq është se nëse Kosova nuk arrinë t’i formojë shpejt institucionet ose zvarritët formimi i tyre deri në shtator tetor atëherë hyjmë në kohën e fund-vitit dhe askush nuk merret më me Kosovën…”, tha Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Ndonëse Kosova nuk po mbërrin që t’i përmbushë agjendat e saj Evropiane në kuadër të planit të rritjes, është Shqipëria ajo e cila vlerësohet se po ecën me hapa gjigant në këtë drejtim. Shteti Shqiptar ditëve të fundit së bashku me Malin e Zi kanë përfituar një fond prej 200 milionë eurosh të cilat pritet t’i marrin ditëve në vijim. Deri më tani nga Plani i rritjes Shqipëria dhe Mali i zi vlerësohet të jenë vendet që kanë përfituar më së shumti nga fondi prej 6 miliardë eurosh i paraparë për vendet e Ballkanit Perëndimor./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?