Begaj vjen sot në Kosovë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, nis sot vizitë zyrtare dyditore në Republikën e Kosovës, gjatë së cilës pritet të zhvillojë takime të nivelit të lartë institucional me drejtuesit më të lartë të shtetit.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, për periudhën 9–10 dhjetor 2025 është hartuar një plan operacional i posaçëm me qëllim garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë gjithë qëndrimit të Presidentit Begaj. Autoritetet policore kanë paralajmëruar se në disa segmente rrugore do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut, të cilat do të realizohen në intervale të shkurtra kohore, varësisht nga lëvizjet e delegacionit.
Deri më tani nuk ka detaje ose ndonjë agjendë për takimet që do të ketë me zyrtarë të Kosovës.
Po ashtu, në zonat e përcaktuara mund të ketë edhe ri-orientim të trafikut në rrugë alternative, me qëllim lehtësimin e qarkullimit dhe evitimin e pengesave. Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe bashkëpunim, duke theksuar se masat janë të domosdoshme për sigurinë e përgjithshme dhe zhvillimin e papenguar të agjendës zyrtare.
Vizita e Presidentit Begaj konsiderohet një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe mes Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa pritet që gjatë takimeve të diskutohet për thellimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe të sigurisë ndërmjet dy vendeve.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?