Kaloni te përmbajtja kryesore

​VV thotë se ka mospërputhje të numrave serikë, por jo edhe manipulime

Lëvizja Vetëvendosje në Mitrovicë ka thënë se në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë, janë identifikuar gjithsej 75 fletëvotime me shpërputhje në numrin serik, por ka hedhur poshtë mundësinë për manipulim apo ndërhyrjeje të qëllimshme në favor të ndonjë subjekti politik.

Në komunikatë thuhet se nga 75 fletëvotimet me shpërputhje, 43 janë të papërdorura, 32 janë të përdorura gjatë procesit zgjedhor. Nga këto, 17 i takojnë kandidatit të PDK-së, 10 kandidatit të LVV-së, ndërsa 5 sosh janë pa numër serik.

VV përkujton se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe kompania përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve CETIS kanë sqaruar arsyen e shpërputhjeve duke përmendur një defekt teknik në njërën nga kokat e printimit, duke përjashtuar çdo mundësi të ndërhyrjes së jashtme apo falsifikimit.

Sipas LVV-së, çdo fletëvotim ka qenë i pajisur me elemente sigurie dhe është i gjurmueshëm në sistem.

“Procesi i numërimit është zhvilluar nën vëzhgim të subjekteve politike dhe institucioneve përkatëse, duke garantuar transparencë dhe integritet të plotë zgjedhor,” përfundon komunikata.

Kryesuesi i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) në Mitrovicën e Jugut, Bajram Hajdari, ka bërë të ditur se procesi i verifikimit të fletëvotimeve ka përfunduar në orën 14:00, ndërsa aktualisht po bëhen përgatitjet për dërgimin e materialit zgjedhor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) në Fushë Kosovë.

Ai ka bërë të ditur se sipas një verifikimi paraprak janë identifikuar 75 fletëvotime që përmbajnë gabime teknike, të cilat i takojnë të dy kandidatëve në garë.

“Një pjesë e tyre është kopjuar me kujdes në prani të policisë dhe më pas janë dorëzuar, ndërsa tani çështja i takon organeve të tjera kompetente,” ka theksuar Hajdari.

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar rivotim të procesit zgjedhor duke thënë se në Mitrovicë është përdorur fenomeni i “trenit bullgar” dhe kësisoj është dëmtuar rëndë integriteti i procesit zgjedhor.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button