Kaloni te përmbajtja kryesore

Përfundoi takimi, Kurti: Ligjet janë të qarta, liderët e partive opozitare: Zgjedhjet e pashmangshme

(Lajm i përditësuar)


Osmani pret deri më 5 nëntor për t’u propozuar mandatari

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani pas takimit që pati me liderët partiak tha se u diskuta një sërë çështjes, me fokus në atë se dikush nga partitë a e ka shumicën parlamentare për të krijuar qeverinë, përcjell portali rtv21.tv

Osmani shtoi se deri më datën 5 nëntor kur skadon afati kushtetutes do të komunikojë sërish me kryetarët e partive.
“Jo domosdoshmërisht do të mbajë takime individuale me secilin sepse disa mendojnë se është ezauruar çdo mundësi, por megjithatë do të jem në komunikim me ta dhe kushdo që ka gatishmëri të takohet dhe për të parë përfundimisht a ka mundësi për caktimin e mandatarit a po jo, unë do t’i pres në takim”, tha ajo.

“Siç e dini aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese e kanë lënë në diskrecion të Presidentes çështjen e mandatarit të dytë dhe ky diskrecion do të shgrytëzohet pr gjatë ditëve në vijim para vendimit final”, shtoi Osmani./21Media


Krasniqi: Rruga përpara është shpallja e zgjedhjeve

Lideri i PDK-së Memli Krasniqi pas takimit me presidenten Vjosa Osmani,  tha se u bë e qartë se askush nuk mund të krijojë shumicën parlamentare, bazuar në legjistraturën aktuale, përcjell portali rtv21.tv

“Së paku 52 deputet të përfaqësuar katër kryetarë të partive shqiptare dhe disa të partive minoritare edhe në takim e kanë bërë të qartë se nuk kanë pjesë e asnjë shumica, gjë që matematikisht e bën të pamundur arritjen e shumicës së re parlamentare dhe besoj se kjo do të duhej të ishte e mjaftueshme që sot edhe presidentja e vendit të vinte me një konkludim të tillë dhe pastaj të vepronte në drejtime të shpalljes së zgjedhjeve të cilat deshtëm a po nuk deshtëm janë të imponuara, në fakt për një situatë të tillë ka muaj që si PDK kemi diskutuar dhe paralajmëruar, por në këtë moment rruga përpara është shpallja e zgjedhjeve”, u shpreh ai./21Media

 


Haradinaj: Po ndodh ajo që tashmë veç jem bërë gati, zgjedhjet

Lider i AAK-së Ramush Haradinaj pas takimit me presidenten Vjosa Osmani tha se në këtë takim u kërkua të tregohet se e a e ka ndokush shumicën parlamentare.

Po ashtu Haradinaj tregoi se Presidentja nga liderët partiak kërkoi mundësi që të gjendet zgjedhje të ndërkohëshme për çështjen e buxhetit dhe çështjen e marrëveshjes për fondin e BE-së, përcjell portali rtv21.tv

“Në realitetin e tashëm çfarë e kemi në vend besoj që po ndodh ajo që tashmë veç jem bërë gati për të , zgjedhjet parlamentare edhe pse deputeti në emër të shumicës dështoi në seancën paraprake, kërkoi  edhe disa ditë që nuk kishte qenë serioze kjo kërkese , megjithatë presidentja ka kohë deri më 5 nëntor”, tha ai.


Abdixhiku: Detyrohemi të shkojmë në zgjedhje të reja, u përmend edhe qeveria e unitetit

Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas takimit me presidenten, deklaroi se në këtë takim u tha se në Kosovë nuk ka shumicë parlamentare, përcjell portali rtv21.tv

“Dhe pikërisht ky ishte deklaru i përfaqësueseve të 52 deputetëve shqiptarë praktikisht  janë shumica shqiptare që në rrethana të pranishme nuk ka shumicë parlamentare që rrjedhimisht afatet kushtetuese na detyrojnë të shkojmë në zgjedhje të reja. Ironikisht  në këtë takim u përmend shumë më shpesh qeveria e unitetit dhe qeveria e tranzicionit si mundësi për të kaluar disa prej çështjeve urgjente, ju kujtoj se para disa kohe kur LDK-ja e kishte propozuar ishte përqeshur.”, tha ai.


Përfundoi takimi i Presidentes me liderët partiak, Kurti: Ligjet janë të qarta

Pas këtij takimi Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti  nuk ka pranuar të flasë para gazetarëve, duke u përgjigjur vetëm shkurt: Ligjet janë të qarta.

 


Nis takimi i Presidentes me liderët partiak

Ka nisur takimi i presidentes Vjosa Osmani me liderët e partive politike. Presidentja në këtë takim  do të kërkojë nga liderët të deklarohen nëse i kanë numrat për formimin e qeverisë së re.


Osmani sot pret në takim liderët e partive, a do të kenë gatishmëri për kompromis për formimin e Qeverisë?

Presidentja,Vjosa Osmani, pritet t’i mbledh liderët e të gjitha partive politike parlamentare në një takim në zyrën e saj në vazhdën e përpjekjeve për të gjetur një shumicë  parlamentare për formimin e Qeverisë së re, pas dështimit të mandatarit të parë, kryetarit të LVV-së, Albin Kurti. Para këtij takimi, nga zyra e presidentes kanë bërë të ditur se ajo do të kërkojë kompromis midis partive politike duke theksuar rëndësinë e miratimit të buxhetit për vitin 2026 si dhe miratimin e Planit të Rritjes.

“Presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik, nëpërmjet të cilit do të garantohet interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj, si dhe të sigurohet rruga përpara për avancimin e vendit”.

Për rtv21 pjesëmarrjen e PDK-së e ka konfirmuar nënkryetajra, Vlora Çitaku, e cila bëri të ditur se partinë do ta përfaqësojë kryetari i Memli Krasniqi.

Po ashtu, LDK ka konfirmuar se në takim konsultativ tek presidentja Osmani do të marrë pjesë kryetari, Lumir Abdixhiri.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentes për takim në përpjekje të gjetjes së një zgjidhje për formimin e Qeverisë së re.

Roli kushtetues i presidentes Osmani u aktivizua pasi të dielën i mandatuari i parë, kryetarit i LVV-së, Albin Kurti, dështoi të marrë votat e nevojshme për formimin e Qeverisë.  Presidentja brenda afatit kushtetues dhjetë ditor mund t’i shterrojë të gjitha mundësitë përmes takimeve me subjektet politike nëse një shumicë tjetër parlamentare mund të garantojë përpara saj se i ka siguruar 61 votat e nevojshme për ta mandatuar për formimin e Qeverisë. Ndryshe, presidentja brenda 40 dite duhet t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Në parim, pothuajse të gjitha partitë kanë deklaruar se zgjedhjet janë të pashmangshme në mungesë të numrave të nevojshme.

Por shkuarja në zgjehdje do të mund të krijonte telashe të reja me buxhetin e ri dhe vonesat ligjore për ta miratuar. Qeveria aktuale në detyrë  është thënë se nuk mund ta prezantojë një projekt ligj për buxhetin, por së fundmi ka pasur deklarime për një mundësi të krijimit të një qeveri të përkohshme, megjithëse ende pa ndonjë marrëveshje paraprake për koalicion. RTV21 merr vesh se LVV-ja ka për synim që tek presidentja ta propozojë Glauk Konjufcën për mandatar të dytë që sipas pohimeve do të mund të merrte votat e disa deputetëve të partive të ish-opozitës, pa përfshirjen e kreut te LVV Albin Kurti dhe do të kishte mandat të përkohshëm deri në mars të vitit të ardhshëm. Kjo, thonë burimet, nënkupton se mund të miratohet Buxheti dhe marrëveshja për Planin e Rritjes së BE-së. Por, nëkryetajra e Kuvendit nga LVV, Albulena Haxhiu, tha se snojnë një Qeveri Kurti 3, por qëndrimet do t’i japin nesër në takim me presidenten.

Kurse, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, i tha RTV21 në emisionin Click, se partia e tij nuk ka fare votë për LVV-në.

Analisti politik, Shemsi Jashari, vlerëson se ftesa e presidentes Osmani për takim konsultativ me subjektet politik nuk do të prodhojë asgje, për shkak siç thotë, presidentja ka qenë shumë pasive ndaj bllokadës politike disa mujore dhe nuk ka pasur vullnet ndër subjekte politike për marrëveshje.

‘’Nga ky takim nuk pritet asgjë. E kemi parë një rol shumë pasiv, shumë indiferentë të presidentes ndaj bllokadës disamujore që po shkon në 7-8 muaj pa Qeveri dhe asnjë rol aktiv të presidentes që t’i nxis partitë politike që të dakordohen. Kështu që edhe në takimin e nesërm nuk pritet që ajo të ketë një rol përtej një nikoqiri dhe ta konsumojë atë takim sa për t’i bërë disa fotografi, ta bëjë një tik në përpjekjen e saj që ta përmbush mandatin e saj kushtetues. Nuk pritet asgjë nga takimi i nesërm, nuk do të kemi marrëveshje dhe rrjedhimisht nuk do të kemi mundësi që të kemi as Qeveri brenda këtij 10 ditëshi’’, tha Jashari.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, të dielën e kaluar dështoi të i sigurojë votat e nevojshme për formimin e Qeverisë së re. Ky është dështimi i parë në skenën politike kosovare që një subjekt politik i cili ka dal i pari nga zgjedhjet nuk ka arritur ta formojë Qeverinë./RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button