Nis viti i ri shkollor edhe në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan

Viti i ri shkollor ka nisur edhe në Qendrën Korrektuese dhe Edukuese për të Mitur në Lipjan.
Sipas njoftimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, janë ndërmarrë të gjitha masat dhe përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit mësimor.
“Me këtë rast, drejtori i Qendrës, z. Ismet Fekaj, së bashku me stafin, uroi nxënësit dhe mësimdhënësit për një vit të mbarë dhe të suksesshëm. Përmes programit të shkollimit synohet të ofrohet përkrahje për të miturit gjatë mbajtjes së masës edukative apo dënimit, duke i ndihmuar ata të zhvillojnë një rutinë normale ditore brenda Qendrës. Ky proces ndikon drejtpërdrejt në fushën e arsimit, risocializimit dhe riedukimit, si dhe përmirëson mundësitë e tyre për një jetë më të mirë pas lirimit, duke i aftësuar për pjesëmarrje aktive në shoqëri”, thuhet në njoftim.
Numri i nxënësve që kanë shprehur interesim për ta vijuar vitin e ri shkollor është i lartë, sipas ShKK-së.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?