Mustafa pas aktvendimit të Kushtetueses: VV-ja t’i japë fund arrogancës politike

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka thënë se kjo parti e mirëpret aktgjykimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e kuvendit.
Mustafa tha se LDK-ja e ripohon qëndrimin e saj se kushtetuta është mbi të gjithë dhe sipas tij, asnjë grup parlamentar, asnjë parti dhe asnjë individ nuk ka të drejtë ta sfidojë atë, e aq më pak ta shkelë atë.
“Presim që të përmbushet pa asnjë vonesë obligimi kushtetues që e ka dhënë Gjykata Kushtetuese, duke rifilluar procesin nga pika 3 e rendit të ditës, të propozohet kandidati për kryetar të kuvendit përmes një procesi të rregullt, të hapur dhe në përputhje me kushtetutën. VV-ja duhet t’i jap fund arrogancës politike dhe qasjes anti-kushtetuese. Pushteti nuk fitohet duke shkelur rregullat, por duke i respektuar ato. LDK-ja vazhdon ta mbrojë Kushtetutën, demokracinë dhe institucionet e Kosovës”, tha Mustafa.
Tutje, ai i cilësoi si të papranueshme sulmet që deputetët dhe figurat më të larta të VV-së ia kanë bërë Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarëve të saj pas këtij aktvendimi, teksa tha se VV-ja përmes Deharit është përpjekur që ta kapë institucionin më të lartë të vendit, Kuvendin e Kosovës.
“Gjykata ka konstatuar se Avni Dehari, si kryesues i seancës konstituive, nën direktivat e partisë së tij, Vetëvendosje, ka vepruar në kundërshtim me kushtetutën, duke injoruar vendimet e gjykatës dhe duke cenuar rëndë rregullin kushtetues të vendit”.
“Ky nuk është një gabim procedural i një deputeti të VV-së. Kjo është një përpjekje e qëllimshme për ta kapur institucionin më të lartë përfaqësues të Republikës, pra kuvendin, përmes veprimeve të paligjshme dhe në kundërshtim me kushtetutën”, tha ai.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?