LVV zyrtarizon kandidaturën e Ilir Qeriqit për kryetar të Lipjanit

Kandidati i LVV-së për kryetar të Lipjanit në zgjedhjet lokale do të jetë Ilir Qeriqi.
Këtë e ka bërë të ditur Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ku është thënë se me me LVV-në kjo komunë do të ketë zhvillimin dhe progresin që kërkojnë qytetarët në çdo lagje dhe fshat.
“Më 12 tetor, Lipjani do ta marrë drejtimin që meriton: drejtim nga qytetarët, për qytetarët. Ilir Qeriqi është kandidati ynë për kryetar dhe kryetari i ardhshëm i Komunës së Lipjanit. Sot, në një takim me strukturat organizative të Lëvizjes në Lipjan, në prani të Kryeministrit Albin Kurti dhe udhëheqësve tanë organizativë, konfirmuam mbështetjen për kandidaturën e Ilir Qeriqit për kryetar të Komunës së Lipjanit.
Me një përvojë të jashtëzakonshme në mbrojtje dhe siguri – nga luftëtari i UÇK-së, te atasheu i mbrojtjes në SHBA dhe Shef i Shtabit të FSK-së – Ilir Qeriqi sjell me vete vendosmërinë, ndershmërinë dhe përkushtimin që i duhet një drejtuesi lokal. Disiplina dhe maturia që e kanë përcjellë në gjithë karrierën e tij, do ta udhëheqin edhe si kryetar komune. Ilir Qeriqi dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! përfaqësojnë alternativën më të mirë për Lipjanin. Me ne, kjo komunë do të ketë zhvillimin dhe progresin që i nevojitet, si dhe energjinë e re që kërkojnë qytetarët në çdo lagje dhe fshat. Të gjithë qytetarët e Lipjanit në qytet, në lagje, e në çdo fshat, le të bashkohemi për ta hapur një faqe të re për komunën e Lipjanit. Me Ilir Qeriqin dhe VETËVENDOSJE!-n, ndryshimi i vërtetë është i mundur dhe bëhet realitet. Na priftë e mbara dhe shihemi në fitoren e 12 tetorit!”, thuhet në njoftim. /21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?