Kllokoqi: Furnizuesit hezitojnë për shkak të paqartësive në procesin e liberalizimit

(Lajm i përditësuar)
Kllokoqi: Furnizuesit hezitojnë për shkak të paqartësive në procesin e liberalizimit
Në emisionin Start Up në RTV21, Arben Kllokoqi, ekspert në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, ka folur për ecurinë e liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë dhe sfidat që po shfaqen në këtë proces.
Sipas tij, mungesa e qartësisë dhe vonesat në vendimmarrje po ndikojnë drejtpërdrejt në sjelljen e furnizuesve dhe në mënyrën se si ata i ofrojnë kontratat për konsumatorët.
“Kam pasur rastin të shoh dy oferta që u janë bërë konsumatorëve. Këto oferta nuk janë fikse – ato janë me indeksim. Kjo ndodh sepse furnizuesit kanë paqartësi për mënyrën si po zhvillohet liberalizimi,” tha Kllokoqi.
Ai shtoi se furnizuesit seriozë nuk hyjnë në treg pa një vendim të qartë që e mundëson liberalizimin.
“Furnizuesit vijnë vetëm kur ka një vendim që liberalizon tregun. Kur nuk ka liberalizim, nuk ka arsye që ata të vijnë – sepse nuk ka konsumatorë që mund t’i shërbejnë.”, tha Kllokoqi.
Përsa i përket numrit të furnizuesve në treg, Kllokoqi theksoi se prezenca e tyre nuk është domosdoshmërisht tregues i konkurrencës reale.
“Numri i furnizuesve në treg nuk e tregon gjendjen reale. Edhe nëse janë 5 apo 20, vetëm 3 ose 4 kompani kanë bërë oferta për konsumatorët.”, deklaroi Kllokoqi.
Kllokoqi: Pa kontratë me furnizues, bizneset rrezikojnë shkëputje nga rrjeti
Arben Kllokoqi, ekspert në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, në emisionin Start Up në RTV21, ka folur për situatën e ndjeshme të bizneseve që ende nuk kanë arritur të lidhin kontratë me ndonjë furnizues të energjisë elektrike. Ai ka paralajmëruar se nëse nuk gjendet një zgjidhje brenda afatit ligjor prej 60 ditësh, rreziku për shkëputje nga rrjeti është real.
“Bizneset që nuk kanë arritur të lidhin kontratë me një furnizues të energjisë, atëherë automatikisht mbulohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit – një organ i përcaktuar me ligj për të mbrojtur tregun dhe konsumatorin. Ky furnizim është i përkohshëm dhe mund të zgjasë maksimumi deri në 60 ditë. Pas këtij afati, nëse konsumatori nuk ka lidhur kontratë me ndonjë furnizues, atëherë ai nuk ka marrë asnjë përgjegjësi dhe asnjë furnizues nuk ka marrë përsipër furnizimin e tij. Si pasojë, çdo konsum që ndodh pas këtij afati konsiderohet si konsum pa kontratë dhe mund të çojë deri te shkëputja nga rrjeti. Shpresoj që do të ketë furnizues që do të ofrojnë energji për këta konsumatorë. Nëse jo, atëherë e shoh të arsyeshme që rregullatori të shqyrtojë mundësinë për të shtyrë afatin,” tha Kllokoqi.
“Rruga pa kthim”, Eksperti i energjisë për liberalizimin e tregut në Kosovë
Liberalizimi i tregut të energjisë në Kosovë po ecën përpara mes sfidave të shumta, njësoj si në vendet tjera të rajonit. Arben Kllokoqi, ekspert në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, në emisionin Start Up në RTV21 theksoi se ky është një proces që nuk ka kthim prapa.
Sipas tij, megjithë mungesën e informacioneve të mjaftueshme për bizneset dhe sfidat që po paraqiten, vendimi për liberalizimin e tregut është i pakthyeshëm.
”Vendimi nuk e di se a mund të shtyhet. Nuk besoj që është proces që mund të kthehet”, tha Kllokoqi./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?