Kaloni te përmbajtja kryesore

​Krasniqi: Kurti është i mirë për propagandë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi deklaroi se në takimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti me kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamza nuk është diskutuar për krizën politike e as për koalicion të mundshëm. Ai tha se ky takim është bërë me insistim të Kurtit, që sipas tij, “ai është i mirë për show e propagandë”.

Kështu u shpreh Krasniqi pas dështimit të tridhjetë për konstituim të Kuvendit.

“E para, unë besoj që zotëri Hamza ka qenë shumë i qartë dhe e ka treguar fiks ashtu siç ka ndodhur. Zotëri Kurti me insistim ka dëshiruar që të ketë një takim për të diskutuar për temat ndërkomunale, që realisht s’është punë e tij, por në një situatë kur ai vërtet s’merret me asnjë temë në interes të qytetarëve, është i mirë për të bërë show e propagandë. Në traditën e shqiptarëve është kur të vjen i huaji te dera, me ja hap derën. Dhe në momentin që ai ka shkuar në zyrën e zotëri Hamza në Mitrovicë, ne nuk jemi në hasmëri, normalisht që mirëpritet. Sepse zotëri Hamza është një nga të paktët politikan që vërtetë ka ndërtuar vetëm ura bashkëpunimi dhe komunikimi me të gjithë”, deklaroi ai.

Krasniqi u shpreh i sigurt që nuk do të bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Kështu që, është e vërtetë, as që është pritur, e as që kemi dëshirë, e as që është diskutuar për çfarëdo çështje që ndërlidhet me çështjet nacionale, me krizën politike e aq më pak për koalicion të mundshëm. Jo, nuk do të më shohësh me zotëri Kurtin duke hyrë në kuvend për të bërë koalicion, e kemi bërë të qartë një gjë të tillë”, deklaroi Krasniqi para mediave.

Pas dështimit të seancës, para mediave Krasniqi ka shprehur keqardhjen për ndalimin e ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale, Arbnor Spahiut nga autoritet serbe.

“Të shpreh keqardhjen dhe indinjatën e kundërshtimin e madh për ndalimin arbitrar dhe të padrejtë të ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiut, i cili po mbahet nga regjimi serb në mënyrë të padrejtë. Por për më shumë të shprehë pakënaqësi me mos-reagimin institucional, me mos-reagimin e Qeverisë së Kosovës, e cila ende asnjë fjalë të vetme nuk e ka thënë për ndalimin e jo vetëm një qytetari që do të duhej por të një shërbyesi të Kosovës, një prej anëtarëve të forcat speciale të Policisë së Kosovës, të cilat kur ju duhen me gojën plotë i ngrisin në qiell me lëvdata meritore, ndërsa tani nuk e thonë asnjë fjalë së paku për t’i ngushëlluar familjarët e tyre. E kjo është më e pakta, sepse në fakt qeveria do të duhej që aktivisht të merreshin me lirimin sa më të shpejt të Arbnor Spahiut. Thërras edhe bashkësinë ndërkombëtare që të ndërhyjnë që të ushtrojnë presionin e tyre për të liruar këtë djalë të Kosovës’’, deklaroi Krasniqi.

Krasniqi në konferencë për media ka shprehur solidaritetin edhe me qytetarët që sot protestuan kundër vendimit të ZRRE-së.

“Bllokada që Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni i saj po vazhdon ta mbajë në Kuvendin e Kosovës, po na e pamundëson që në mënyrë institucionale dhe ligjore të ndërmarrim veprime që do ta kthenin normalitetin në sektorin e energjisë. Para se gjithash duke i shkarkuar anëtarët e ZREE-së dhe pastaj duke mundësuar anulimin e këtij vendimi të padrejtë, i cili duke u thirrur në tregun e hapur pa pasur fare një të tillë po ua rëndon barrën jo vetëm bizneseve por në mënyrë zingjirore do ta rëndojë barrën e secilit qytetar dhe çdo familjeje në vendin tonë”, përfundoi ai.

Kuvendi i ri nuk ka arritur të konstituohet as pas tentimit të 30-të, të mërkurën më 11 qershor.

Sërish nuk arriti të votohet formimi i një komisioni të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit – propozim ky i Lëvizjes Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa.

Propozimi mori votat e vetëm 52 deputetëve, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button