Kaloni te përmbajtja kryesore

​Zhbllokimi i krizës politike, partitë të betonuara në qëndrimet e tyre

Katër partitë parlamentare, LVV, PDK, LDK dhe AAK kanë diskutuar të mërkurën në lidhje me krizën politike dhe mosformimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Në kuadër të konferencës “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”, organizuar të mërkurën nga Lëvizja FOL dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike, partitë parlamentare shfaqen pozicione të njëjta sikurse më herët, në lidhje me situatën aktuale politike.

Megjithëse nuk u paraqit ndonjë zgjidhje për daljen nga kriza politike, deputeti i LVV-së, Armend Muja tha se implementimi i shpejtë i rregullave që derivojnë nga Bashkimi Evropian “është receta më e mirë për të siguruar institucione dhe shoqëri stabile”.

“Implementimi i shpejtë i rregullave që derivojnë nga Bashkimi Evropian është receta më e mirë për të siguruar një shoqëri stabile, por edhe për të përshpejtuar reformat ekonomike. Kjo mbetet aspirata jonë. Lajmërimi se masat janë hequr është një hap dhe mesazh i rëndësishëm po ashtu reflekton një nivel të besimit sikurse edhe liberalizimi i vizave që ka hyrë në fuqi që nga janari 2024. Ky është test për besueshmërinë e ndërsjellët mes partnerëve”, tha ai.

Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj tha se leximi i tij për krizën politike është i tillë që qytetarët në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk kanë votuar tërësisht për vazhdimësinë me qeverinë Kurti, mirëpo s’kanë votuar as plotësisht për ndryshim.

Ai tha se tani nevojitet kreativitet dhe qasje reale sesi të lexohet ky rezultat dhe të tejkalohet kjo situatë aktual

“Në zgjedhjet që janë mbajtur më 9 shkurt, qytetarët e Kosovës nuk kanë votuar tërësisht për vazhdimësi dhe s’kanë votuar plotësisht për ndryshim. Në këtë mënyrë e kam lexuar rezultatin e 9 shkurtit. Për neve si njerëz që duhet të kemi kreativitet dhe qasje reale sesi i lexojmë numrat duhet të shohim si të tejkalojmë këtë situatë politike që jemi”, shtoi Hoxhaj.

Kriza politike për deputeten e LDK-së, Jehona Lushaku, duhet të sjell mësime për partitë politike që propaganda dhe retorika nxitëse nuk i kontribuon një dialogu të vërtet brenda shtetit.

“Nuk mund të jesh në pushtet dhe të komentosh raste gjyqësore. Nuk mund të jesh në pushtet dhe të bësh thirrje publike formale për dialog, nëse ai nuk është i menduar si i tillë dhe aplikuar gjatë gjithë kohës. Po ashtu nëse nuk është lënë hapësirë për partneritet mes partnerëve politik. Dialogu nuk është formalitet dhe procedurë por është më shumë përmbajtje dhe konsistencë dhe është i mbështetur në argumente…Edhe ky ngërç politik do të sjell rezultate dhe mësime për partitë politike se retorika dhe propaganda nuk i kontribuon një dialogimi të vërtet brenda shtetit. Më vjen keq që kjo krizë e dëmton procesin e integrimit dhe stagnon procese të tjera, por me gjasë këto ngërçe janë zhvillimore të demokratizimit të partive politike që paguajnë qytetarët”, theksoi Lushaku.

Ndërkaq, anëtari i kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri, tha se bllokada aktuale politike është një “papërgjegjësi e plotë e të gjitha partive politike”.

Ai tha se partitë që deri tani ishin në opozitë duhet të ecin “në lojën politike dhe të tejkalojnë debatin juridik dhe ligjor për tejkalimin e krizës politike”.

“Këtë ngërç dhe këtë bllokadë e shoh si një papërgjegjësi të plotë që ne duhet të adresojmë. Si parti opozitare pyetjen e parë që e kisha shtruar është se a dëshirojmë kryeministrin Kurti me çu në shtëpi. Qysh? Duke ecur në lojën politike dhe jo në lojën e debatit juridik dhe ligjor. Ne kemi një situatë ku LVV-ja me plot të drejt thotë se ne e kemi kandidatin dhe nuk mundeni ju me na tregu se cilin kandidat e vendosim, pastaj ne ju tregojmë juve se cilin kandidat për nënkryetar. Sikurse ne kemi të drejtën legjitime me thënë se ju duhet me bërë 61 vota, pasi Kurti na pëlqëjke në vitin 2014, kur thoshte se shumica e bën tërësinë. Shumica për me zgjedh nuk është”, tha ai.

Konstituimi i Kuvendit ka ngecur pasi Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit.

Partitë që deri më tash ishin në opozitë po kërkojnë tjetër kandidat, pasi sipas tyre, Albulena Haxhiu është emër i papranueshëm./kp

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button