Kaloni te përmbajtja kryesore

Osmani në SHBA thekson rëndësinë e forcimit të raporteve, sidomos në mbrojtje e ekonomi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me delegacionin e Kongresit amerikan në Dejton.

Delegacioni u kryesua nga kongresisti Michael Turner, udhëheqës i Delegacionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Pjesë e delegacionit ishin edhe kongresistët Brett Guthrie, Linda Sánchez dhe Joe Wilson.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për Shtetet e Bashkuara si aleat strategjik i Kosovës.

Ajo theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe, zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, si dhe potencialin për thellim të bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e investimeve amerikane në Kosovë.

Gjatë takimit, e para e shtetit tonë informoi kongresistët mbi zhvillimet e sigurisë në Kosovë e rajon, si dhe kontributin e shtetit tonë për paqe dhe stabilitet.

Osmani po merr pjesë në ngjarjet e organizuara në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Dejton të SHBA-së, i cili përkon me 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes që i dha fundin luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Sesioni do t’i dedikohet përpjekjeve për paqe e siguri në Ballkanin Perëndimor, ku do të marrin pjesë edhe presidentë të vendeve të tjera nga rajoni, si dhe përfaqësues të lartë të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në agjendën e presidentes Osmani janë një sërë aktivitetesh, përfshirë fjalime në darkën kryesore si dhe në panele, e po ashtu takime me delegacionet pjesëmarrëse.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button