Kjo është vlera e pasurisë së Vjosa Osmanit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me bashkëshortin e saj, ka deklaruar disa pasuri në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Ata kanë deklaruar një banesë të blerë mbi 59 mijë euro, një shtëpi që kushton 170 mijë euro, dhe tokë në vlerë 35 mijë euro dhe një garazh në vlerë 6 mijë euro.
Gjithashtu, janë deklaruar edhe dy prona të tjera të banimit, një e përbashkët që vlen 190 mijë euro dhe një tjetër prej 510 mijë eurosh, e blerë në Australi.
Ajo ka deklaruar gjithashtu një veturë në vlerë 10 mijë euro, në pronësi të bashkëshortit, si dhe dy kredi njëra prej 40 mijë eurosh dhe tjetra 16 mijë euro.
Në emër të saj personal, Osmani ka deklaruar një parcelë toke të blerë në vitin 2016 për 35 mijë euro.
Sa i përket pronës në Australi me vlerë mbi gjysmë milioni euro, ajo ka sqaruar se financimi ka ardhur nga shitja e një shtëpie më të hershme në Australi që ishte në pronësi të bashkëshortit, nga shitja e shtëpisë së prindërve të tij (trashëgimi), kursime dhe ndihmë financiare nga familjarët.
Të ardhurat vjetore neto të Presidentes janë 33.104 euro, ndërsa nga mëditjet për udhëtime zyrtare jashtë vendit ka përfituar mbi 11.500 euro, raporton KosovaPress.
Bashkëshorti i saj ka pasur të ardhura vjetore prej 11.068 euro dhe 12.500 euro nga qiraja e shtëpisë në Australi. Ai ka përfituar gjithashtu mbi 19 mijë euro nga një vendim gjyqësor në Ministrinë e Punëve të Jashtme, si dhe rreth 2.800 euro mëditje për udhëtime jashtë vendit.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?