Suspendohen dy policë, neglizhuan arrestimin e të dyshuarit që vrau kolegun e tyre Muhamet Lika

Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar nga puna dy zyrtarë policorë, pasi të njëjtit kanë dështuar në zbatimin e urdhëresës për arrestimin e 17-vjeçarit, R.B.
Në komunikatën e IPK-s, thuhet se një toger ka qenë në dijeni dhe s’ka ndërmarrë veprime konkrete për arrestimin e të dyshuarit, ndërsa një rreshter ka dështuar të raportojë me kohë dhe saktësi për urdhëresën për arrest si dhe dyshohet se nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për ekzekutimin e saj.
Sipas njoftimit të IPK-së, veprimet paraprake hetimore të ndërmarra dhe komunikimet zyrtare të pranuara, ekziston dyshimi i arsyeshëm se deri në këtë fazë të hetimit, dy zyrtarë policorë kanë dështuar në kryerjen e detyrave zyrtare dhe kanë treguar neglizhencë serioze në zbatimin e urdhëresës për arrestimin e personit të dyshuar R. B.
”Nga informacioni i dokumentuar dhe i siguruar nga IPK-ja ekziston dyshimi se një toger policor në pozitën e shefit të sektorit të operativës, ka pasur dijeni për urdhëresën për arrest, por dyshohet se nuk ka ndërmarrë veprime konkrete operative për lokalizimin dhe kapjen e personit të kërkuar. Gjithashtu, bazuar në veprimet hetimore dyshohet se një rreshter policor i angazhuar në cilësinë e mbikëqyrësit në njësinë ndërlidhëse për gjykata, ka dështuar të raportojë me kohë dhe saktësi për urdhëresën për arrest si dhe dyshohet se nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për ekzekutimin e saj”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Që të dy zyrtarët policorë për të cilët IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tyre kanë qenë të angazhuar me detyrë në stacionin policor të Kaçanikut.
IPK vlerëson se dështimi i tyre në zbatimin e një vendimi të formës së prerë nga gjykata, cenon besueshmërinë institucionale dhe përbën bazë për procedim disiplinor dhe hetim të mëtejmë administrativ dhe penal.
Lexim me zë
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?