Kaloni te përmbajtja kryesore

Presidenti i Sierra Leones demanton Serbinë për “ç’njohje”, thotë se do të forcojnë lidhjet me Kosovën

Presidenti i Sierra Leones, Julius Maada Bio, ka njoftuar për “një takim miqësor” me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të tij në Turqi.

Në një postim në rrjetet sociale, ai ka shprehur kënaqësinë për këtë takim, duke vënë në pah gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Ndjehem tepër mirë që pata rastin ta takoj presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Ne ramë dakord të forcojmë lidhjet dypalëshe midis Sierra Leones dhe Kosovës, duke u angazhuar për të bashkëpunuar në iniciativa të ndryshme që do të përfitojnë të dy kombet”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se Sierra Leone e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës më 11 qershor 2008.

Megjithatë, Serbia në vazhdën e fushatës së saj për të minuar shtetësinë e Kosovës, kishte pretenduar në të kaluarën se Sierra Leone e kishte tërhequr njohjen.

Këto pretendime nuk janë konfirmuar asnjëherë zyrtarisht nga autoritetet në Freetown.

Takimi i fundit mes Presidentit Bio dhe Presidentes Osmani vjen si një sinjal i qartë i përkushtimit të dy vendeve për të thelluar lidhjet diplomatike dhe për të promovuar bashkëpunim të ndërsjellë në fusha me interes të përbashkët.

 

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button