Sa ka arritur Kosova këto 17 vite, flasin qytetarët

Në 17 vjetorin e Kosovës, qytetarë të shumtë kishin dalur për të parë parakalimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës. Të njëjtit, u shprehën shumë të kënaqur me arritjen e Kosovës në fushën e sigurisë.
Qytetari Gani Kçiku u shpreh për KosovaPress, se shteti duhet të blejë dhe aeroplanë, përndryshe ka përparuar mjaftueshëm.
Ndërsa, për thashethemet se FSK-ja nuk po ushqehet në mënyrën e duhur, ai tha se populli po e sheh të vërtetën.
“E pash parakalimin, tash le të vijë Serbia, le të vijnë këtu se i tregojmë ne. Shumë mirë është, por disa pisa po thonë nuk ka bukë ushtria, ne si popull po e shohim. Tani shteti duhet të blejë aeroplanë, ky shtet ka përparua mjaftueshëm, por duhet akoma më shumë”, u shpreh Kçiku.
Ndërsa, Azem Sheqiri tha se Kosova vetëm po shkon duke u forcuar, duke e paramenduar se si ka qenë ky shtet më parë.
Sipas tij, të gjithë duhet të jenë të gatshëm për të mbrojtur atdheun, duke shpresuar të mos vije puna deri aty.
Ai shpalosi edhe disa kujtime të tij, në këtë shesh të Prishtinës vite më parë.
“E pamë, ishim të kënaqur shumë, si asnjëherë më parë. Vetëm po shkojmë duke u forcuar dhe të kënaqur jemi shumë. Kur po e paramendoj se si ka qenë përpara, tani është një kënaqësi. Shpresojmë për shumë më mirë dhe forcë më të madhe. Do e mbrojmë vendin dhe shpresojmë që nuk vije puna ta mbrojmë, por ne duhet të jemi të gatshëm gjithmonë. Shteti është duke u bërë dhe vetëm përpara.. Sa herë na kanë ndjekur policia këtu edhe nuk jam duruar pa dal prapë, kur po e shoh tërë këtë rini këtu po kënaqem shumë, edhe pse jam 67 vjeçar nuk mundem pa dal, deri sa të më punojnë këmbët”, tha Sheqiri.
Po ashtu, Qamil Dili shtoi se të arriturat deri më tani, janë shumë të mira, duke kujtuar se sa ka shkelur Serbia këtë vend, e si ka qenë para disa viteve.
Dili ka një lutje për të gjithë politikanët e Kosovës, “bashkim për inati të Serbisë, për njerëzit që kanë dhënë jetën për këtë vend”.
“Për këtë ditë është derdhur gjak, hallall u qoftë dëshmorëve të kombit, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të gjithë njerëzve që kanë dhënë kontribut për këtë ditë dhe ne e festojmë të lirë. Të arriturat deri më tani janë shumë të bukura sepse duhet ta dinë që neve për 100 vjet na ka shkelur Serbia dhe ky vend ku jemi momentalisht, para 56 vjetësh ka qenë lloq deri në gjunjë. Ne kemi arritur mjaftueshëm. Po i lus të gjithë politikanët e Kosovës, të bashkohen për inati të Serbisë, për njerëzit tonë që kanë dhënë jetën për këtë vend”, shtoi Dili.
E për fund, qytetari Ibrahim Abdullahu vijoi se të arriturat e vendit janë deri diku. Sipas tij, shteti duhet të veprojë më shumë për të liruar më shpejt ish-krerët e UÇK-së, që po mbahen në Hagë.
“Jam invalid i luftës, urojmë që ish-krerët e UÇK-së në Hagë të lirohen sa më shpejt. Urime të gjithë shqiptarëve 17 shkurti…Të arriturat mirë janë deri diku, nuk është keq. Shteti duhet të bëjë shumë për shqiptarët, e tërë Kosova duhet të qohet në këmbë për ta me i liruar sa më shpejt”, vijoi Abdullahu.
Sot Kosova ka shënon 17 vjetorin e pavarësisë së saj.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?